VV denoncon punësimet familjare e partiake të PDK-së në “Termokos”

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë përmes një konference për media të mbajtur para objektit të Ndërmarrjes publike ‘Termokos’, denoncoi dukurinë e punësimeve familjare e partiake në këtë ndërmarrje.

Sipas sekretarit të kësaj qendre në Prishtinë, Valdrin Ahmeti, ndërmarrjet publike në Kosovë gjatë gjithë kohës nga të gjithë ata që qeverisin, si në nivelin qendror edhe në atë lokal, janë parë vetëm si mundësi për zhvatje, përfitime e mundësi për të rehatuar familjarë e militantë partiakë.

Një nga proceset e shkatërrimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë gjithmonë ka qenë punësimet e bëra pa kritere e pa nevojë për proceset e punës së asaj ndërmarrje.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë kontekst ai përmendi ndërmarrjen Termokos në Prishtinë, ku, siç tha ai, punësimet kryesisht janë bërë nga ish-kryeshefi ekzekutiv, Naser Canolli dhe që lidhen kryesisht me familjarë të tij e me njerëz të PDK-së dhe ShIK-ut.

Të punësuarit gjatë kohës sa Naser Canolli ka qenë i instaluar si KE në këtë ndërmarrje, sipas Ahmetit janë:

1. Arben Canolli – djali i vëllaut të K.E.-së, Naser Canollit,

2. Maliq Hyseni – djali i motrës së kryeshefit ekzekutiv, Naser Canolli,

3. Përparim Fazliu – djali i motrës së kryeshefit ekzekutiv, Naser Canolli,

4. Ares Ergini – djali i gruas së Lirak Çelaj,

5. Kastriot Fazliu – djali i axhës së Përparim Fazliut,

6. Vigan Citaku – djali i Ylber Çitakut, ish-drejtor i instaluar nga PDK në Stacionin e Autobusëve,

7. Artina Selmani – kunatë e aksionarit të PDK-së, Muhamet Selmani,

8. Arbër Makolli – djali i vëllaut të Xhemajl Makollit, drejtor administrativë në Termokos,

9. Marigona Canolli – e afërm e kryeshefit ekzekutiv, Naser Canolli

10. Isak Berisha – dhëndër i Raif Vitija, drejtor i furnizimeve, ish-drejtor financiar dhe ushtrues detyre i KE-së

11. Enis Cakolli – familjar i Bujar Cakolli, sekretar i PDK-së në Prishtinë.

Gjatë kohës kur janë bërë këto punësime Shpend Ahmeti ka qenë kryetari i Komunës, në atë kohë pjesë e Lëvizjes sonë, me pompozitet i denonconte këto punësime e keqpërdorimet, dhe thoshte se sapo ta siguronte shumicën e asamblesë komunale do ta ndryshonte këtë gjendje në ndërmarrjet publike. Por tash, edhe pse qeverisja aktuale e Komunës e ka shumicën në asamblenë komunale, punësimet nuk kanë ndaluar, por përkundrazi edhe kryetari i është bashkuar karvanit të punësimeve në këtë ndërmarrje, duke ndjekur shembullin e PDK-së.

Të gjithë jemi dëshmitarë që para disa ditës u raportua që pikërisht në këtë ndërmarrje si drejtor financiar i ndërmarrjes u punësua drejtori komunal i Shërbimeve Publike, Ismajl Koka.

Si arriti t’i bindë Shpendi PDK-në, që të arrijë ta vërë në pozitën e drejtorit financiar, drejtorin e tij komunal, tash kur dihet që me donacionet e shumta për zgjerim të rrjetit, sidomos ato të Komisionit Evropian, kjo pozitë është një nga pozitat më të rëndësishme për shpenzimin e fondeve nga kjo ndërmarrje publike.

Këto punësime janë vetëm disa nga dhjetëra punësime që këta kanë bërë në këtë ndërmarrje publike, të cilat, siç ka paralajmëruar Vladrin Amheti i Vetëvendosjes, do t’i publikohet në vazhdimësi “sapo të sigurojmë informacion të plotë për të gjitha. Po ashtu ditëve e javëve në vijim do të prezantojmë edhe informacione të tjera që lidhen me keqpërdorimet në këtë ndërmarrje”.