BE kthen mijëra qytetarë të Kosovës

Qytetarët e Kosovës nuk po mund të marrin më azil nëpër vendet e Bashkimit Evropian.  Emigracioni ilegal dhe azil-kërkimi në vendet e BE-së për motive ekonomike dhe të natyrave tjera tanimë duket një kapitull i mbyllur për kosovarët.  Kthimi masiv i tyre nga vendet e BE-së po vazhdon, sidomos që nga hyrja në fuqi të ligjit gjerman për vendet e Ballkanit Perëndimor apo të drejtën për pajisje me vize pune për kosovarët.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë treguar se në fund të vitit të kaluar, janë kthyer 452 qytetarë që kishin kërkuar azil në Gjermani.

Ndërkaq në total janë të paktën 32 mijë qytetarë të riatdhesuar të cilët ishin larguar nga vendi në valën e ikjes, tri vite më parë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Reklama e sponzorizuar

Riatdhesimi i tyre thuhet se është bërë qoftë në mënyrë vullnetare, në disa raste, por ka pasur raste që janë kthyer edhe me forcë.

“Të dhënat gjatë periudhës tetor-dhjetor 2018 tregojnë se në pikat kufitare janë kthyer 452 persona të ripranuar nga shtetet e ndryshme. Prej tyre me forcë 327 (72%) dhe vullnetarisht të asistuar nga IOM 125 (28%)”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Problemet për këtë kategori nuk përfundojnë me rikthimin në atdhe, pasi shumë prej tyre nuk kanë strehim. Llogaritet që një pjesë e madhe e tyre kanë shitur gjithçka nga pasuria për të emigruar në rrugë ilegale drejtë shteteve të BE-së.

Në lidhje me këtë shqetësim Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se është duke vazhduar asistenca për të riatdhesuarit në nevojë.

“Pas identifikimit të nevojave emergjente, përfitues janë te gjithë personat e riatdhesuar qe parashtrojnë kërkesa për përfitim në skemat e riintegrimit dhe të cilët i plotësojnë kriteret sipas legjislacionit në fuqi për skemën  akomodimit të përkohshëm, akomodimit deri në dymbëdhjetë muaj, si dhe renovimin/rindërtimin e shtëpive. Gjatë vitit 2018, 365 persona kanë përfituar në skemën e akomodimit (strehimit) deri në dymbëdhjetë muaj, i cili proces është i rregullt dhe  i vazhdueshëm”.

Instituti për Studime të Avancuara GAP, në një raport të tyre parën treguar se  nga shpallja e paravërisë së Kosovës e deri me tash 198050 kosovarë apo 11 për qind e popullsisë kanë kërkuar azil së paku një herë në vendet e Bashkimit Evropian.

Agjencia evropiane e statistikave, EUROSTAT, ka bërë të ditur se, numri më i madh i kosovarëve që kanë marrë leje qëndrimi, vazhdon të jetë i koncentruar më së shumti në Gjermani me 47% të numrit të përgjithshëm të personave me leje qëndrimi. Arsyet e marrjes së lejes së qëndrimit të shtetasve kosovarë në shtetet anëtare të BE-së dhe Zonës Shengen janë, bashkimi familjar, punësimi dhe edukimi.

Kujtojmë se mijëra qytetarë të Kosovës në mënyrë të paligjshme morën rrugën e migrimit drejt vendeve të Bashkimit Evropian, në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015, duke shfrytëzuar kufirin e ‘brishtë’ ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

Vala e madhe e migrimit të qytetarëve nga Kosova detyroi autoritetet në Hungari, Serbi, Austri dhe Gjermani, që të forcojnë kontrollet e kufirit, për të penguar kalimin e paligjshëm.

Numri i të shpërngulurve nga Kosova ra pas një ashpërsimi të kontrolleve dhe shumë qytetarë që migruan në mënyrë të paligjshme u rikthyen në Kosovë.

Zyrtarë ndërkombëtarë dhe ambasadorë të shteteve evropiane në Kosovë, vazhdimisht bëjnë thirrje për ndalje të migrimit ilegal, si një dukuri e cila rrezikon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.