GAP: Ndihma shtetërore në projektet e reja energjetike bie ndesh me direktivat e BE-së

Instituti GAP në bashkëpunim me Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (Wiener Institut für Internationale Wirtschaftsvergleiche – wiiw), prezantuan raportin “Ndikimi i ndihmës shtetërore në tregun e energjisë elektrike në Ballkan”.

Raporti trajton problematikën e ndihmës shtetërore në sektorin e energjisë elektrike, duke marrë si shembull konkret rastet në Kosovë, Bosnje, Serbi dhe disa nga vendet e Bashkimit Evropian.

Blendi Hasaj, hulumtues në Institutin GAP, prezantoi raportin e GAP dhe wiiw, në të cilin trajtohet problemi i ndihmës shtetërore në projektet e reja energjetike me bazë linjitin në vendet si Kosova, Bosnja dhe Serbia; projekte të cilat bien ndesh me direktivat e BE-së për liberalizimin e tregut energjetik.

Reklama e sponzorizuar

Ndër të tjera, Hasaj theksoi se Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka fuqi ligjore të kufizuar për ndalimin e projekteve që përbëjnë ndihmë shtetërore, kurse departamentet për ndihmë shtetërore brenda vendeve kontraktuese nuk kanë pavarësi të plotë.

Petrit Pepaj, drejtor menaxhues në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), foli për rëndësinë e ndërtimit të kapaciteteve të reja për arritjen e sigurimit të energjisë elektrike në vend.

“Për këtë siguri po ndërtohen edhe kapacitete të reja të burimeve të ripërtërishme. ZRrE-ja ka mbështetur ndërtimin e Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë (BRE) përmes tarifave nxitëse. Ndërsa sa i përket ndihmës shtetërore, ngjashëm me vendet e rajonit, Kosova nuk po arrin të thith investime në sektorin e energjisë pa garancione të blerjes”, ka thënë Pepaj.

Sala Berisha – Shala, kryesuese e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, nuk e mohoi prezencën e ndihmës shtetërore në kontratë por tha se vlerësimi final duhet të vijë nga komisioni për ndihmë shtetërore, i cili do të funksionalizohet së shpejti.

Ndërsa, Mimoza Kusari – Lila, deputete e Kuvendit të Kosovës, shtoi se duhet të kemi parasysh se sektori i amvisërisë prin në konsum ndaj atij të industrisë. “Prandaj duhet të analizohen metoda të sigurimit të energjisë duke filluar nga amvisëria. Për më tepër duhet të analizohet kostoja financiare e kontratës për ndërtimin e ‘Kosova e Re’. Në qoftë së kostoja e shkeljeve ligjore e tejkalon atë të tërheqjes nga kontrata, atëherë duhet të shikohet mundësia e daljes nga ky projekt”, ka theksuar ajo.

Në debat kontribuuan edhe të ftuarit tjerë nga fusha e energjisë, mediat dhe shoqëria civile.