Hulumtim: Shkeljet që u garantojnë miliona euro kompanive të sigurimit

Një hulumtim i gjerë nga BIRN në industrinë e sigurimeve në Kosovë ka gjetur shkelje flagrante të drejtave të njeriut në rastet e kompensimit të qytetarëve për dëmet e shkaktuara nga aksidentet. Janë 32 mijë raste që kanë probleme me kompensim të dëmit qoftë në kompani të sigurimeve apo gjykata. Kërkesat financiare për këto 32 mijë raste të dëmeve shkojnë deri në 80 milionë euro.

Agon Sinanaj

Nga momenti kur një i dëmtuar nga aksidenti arrin marrëveshje me kompaninë e sigurimeve për shumën që duhet t’i kompensohet, sipas afateve ligjore, pagesa duhet të kryhet brenda 15 ditësh. Por ky nuk ka qenë rasti me qytetarin nga Podujeva, Adem Prestreshi. Atij realizimi i të drejtës për kompensim i mori kohë plot nëntë muaj dhe shqetësime të panumërta.

Reklama e sponzorizuar

“Shkova në kompani pas një muaji. Më thanë që është shty dhe t’i qesim paratë muajin tjetër. Deri në dhjetë herë kam shkuar në kompani. Për tetë muaj, vazhdimisht më thonin se kemi probleme”, ka thënë Prestreshi.

Kompensimi i dëmit atij i është kryer vetëm pas interesimit të BIRN në Bankën Qendrore të Kosovës lidhur me rastin, përkatësisht në muajin nëntor të vitit 2018, apo me nëntë muaj me vonesë.

BIRN ka gjetur se ka vonesa në pagesën e dëmit nga kompanitë e sigurimit në rastet kur ka marrëveshje me palën e dëmtuar. Në rastet kur ka marrëveshje, mirëpo kompanitë e sigurimit e shkelin atë, BIRN ka gjetur se nuk ka institucion që mund t’i obligojë kompanitë të bëjnë pagesën. Tek marrëveshjet jashtë gjyqësore, palët mund t’i drejtohen vetëm Bankës Qendrore të Kosovës. Por, BQK-ja në bazë të legjislacionit në fuqi, nuk ka mekanizëm përmes të cilit e detyron kompaninë që t’i kryejë obligimet. Këto raste kur ka marrëveshje nuk mund të procedohen përmes përmbaruesve privat, ashtu siç ndodh në rastet tjera kur ka vendim të gjykatës.

E kur rastet procedohen në gjykatë, BIRN ka gjetur se rastet zvarriten deri në dhjetë vjet. Në gjykatë procedohen rastet kur pala e dëmtuar nuk e pranon ofertën e kompanisë së sigurimit për kompensim të dëmit.

Aktualisht në industrinë e sigurimeve dhe nëpër gjykata, sipas statistikave zyrtare, janë 32 mijë raste të që kanë probleme me kompensim të dëmit. Këto raste njihen si dëme pezull, ndërsa kërkesat financiare për këto 32 mijë raste të dëmeve shkojnë deri në 80 milionë euro. Dëmet pezull, janë dëmet që presin, qoftë nëpër kompani të sigurimeve, qoftë nëpër gjykata për tu zgjidhur, duke tejkaluar të gjitha afatet ligjore në dëm të qytetarëve (policëmbajtësve).

Në tregun e sigurimeve, aktualisht të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës janë 12 kompani të sigurimeve, nga të cilat 10 merren me veprimtarinë e sigurimeve jo-jetë dhe dy kompani me sigurimet e jetës. Numri i të punësuarve varion ndër vite, mirëpo nga të dhënat statistikore të fundit, të angazhuar në industrinë e sigurimeve janë mbi 2 mijë të punësuar.

Dështimi i BQK-së

Pas aksidentit të pësuar me 7 nëntor të vitit 2017, Prestreshi si palë e dëmtuar menjëherë kishte arritur marrëveshje jashtëgjyqësore me kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”. Sipas marrëveshjes jashtëgjyqësore, të nënshkruar me datën 23 janar 2018, një kopje të së cilës e posedon BIRN, kompania “Kosova e Re”, obligohej që Prestreshin ta kompensonte në vlerë prej 1,190 euro, për dëmin e shkaktuar nga aksidenti.

Kompania nuk e kishte respektuar marrëveshjen e arritur, duke shkelur njëkohësisht edhe Rregulloren e BQK-së “Mbi Procedurat e Trajtimit të Kërkesave për Kompensimin e Dëmeve që Rrjedhin nga Sigurimi i Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia”. Në nenin 9 të kësaj rregullore, e cila përcakton afatet kur siguruesit (kompania) duhet t’i kryejë obligimet ndaj të siguruarve, thuhet: “Siguruesi obligohet që ta bëj pagesën e dëmit në pajtim me marrëveshjen me palën jo me vonë se 15 ditë kalendarike nga data e nënshkrimit të saj”.

BIRN i është drejtuar me pyetje kompanisë “Kosova e Re” për të kuptuar arsyet se pse nuk i është përmbajtur marrëveshjes jashtëgjyqësore të arritur me palën si dhe rregullores së BQK-së në fuqi.

Nazlije Bejta, U.D. e drejtorit të Departamentit të Dëmeve në këtë kompani, në përgjigjet e saj u është shmangur pyetjeve të gazetës.

Ajo ka thënë se Prestreshi ka pasur dy kërkesa për kompensim dëmi, njëra për dëm material dhe tjetra për dëmin jo material.

“Ju njoftojmë që të dy kërkesat për kompensim dëmi janë paguar në tërësi nga kompania e Sigurimeve “Kosova e re” para se ju të na drejtoheni me emaillin tuaj”, ka thënë ajo.

Pagesa e dëmit ishte bërë vetëm pasi avokati Jeton Idrizi, si përfaqësues i palës, kishte drejtuar ankesë në Bankën Qendrore të Kosovës ndaj “Kosovës së Re”.

“Në aktmarrëveshje është paraparë që pagesa të bëhet në afatin ligjor, (i cili afat është 30 ditë) nga dita e lidhjes së marrëveshjes. Përkundër kësaj, kompania e sigurimeve “Kosova e Re” në Prishtinë, edhe pse kanë kaluar 10 muaj nuk e ka përmbushë obligimin ndaj ushtruesit të kërkesës Adem Prestreshit”, thuhet ndër të tjera në ankesë  Idrizit që është bërë me datën 9 nëntor 2018, e të cilën e ka siguruar BIRN.

Pas përfundimit të afatit për vendosje nga ana e BQK-së, BIRN kishte dërguar pyetje tek BQK-ja. Një ditë pasi BIRN ka dërguar pyetje në BQK është bërë pagesa nga ana e kompanisë “Kosova e Re”.

Nazlije Bejta, U.D. e drejtorit të Departamentit të Dëmeve, përkundër kësaj, ka thënë se “Kosova e re” është në mesin  e tri kompanive të sigurimeve e cila ka paguar më së shumti dëme si materiale po ashtu edhe jo materiale.

Me ligj Banka Qendrore e Kosovës (BQK) është rregullator i tregut të sigurimeve. Kurse Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, neni 37, i jep të drejtë BQK-së të shqiptoj gjoba ndaj kompanive kur ka shkelje. Gjobat janë nga 5 mijë deri në 10 mijë euro.

BIRN e ka analizuar rastin e Prestreshit dhe ka gjetur se BQK ka dështuar ta trajtoj atë në bazë të legjislacionit në fuqi. Dështimi i parë ka të bëj me përgjigjen në ankesë, ku prej momentit të ankesës nga pala, brenda 15 ditësh duhet të trajtohet ankesa dhe t’i kthehet përgjigje palës.

Arbër Istrefi, avokati i Prestreshit, thotë se BQK-ja nuk është përgjigjur në ankesë, siç obligohet me ligj.

“Pagesa i është bërë palës në nëntor, por BQK nuk na ka kthyer përgjigje në ankesë siç kërkohet. Ne vetëm mund të hamendësojmë që kompania e ka kryer pagesën pas vërejtjeve të BQK-së”, ka thënë Istrefi.

Shumë dëme pezull, pak ankesa nga qytetarët

Ahmeti thotë se ankesa e Adem Prestreshit është trajtuar nga BQK-ja konform rregullores së brendshme për trajtimin e ankesave.

“Bazuar në rregullën e lartcekur afati për përgjigje në ankesë është 15 ditë, marr parasysh se ankesa është adresuar me datë 09.11.2018 dhe përgjigja është dhënë në datë 20.11.2018, vërehet qartë ankesa është trajtuar brenda afatave ligjore dhe me rezultat në favor të palës”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, zyrtar për informim në BQK.

Banka Qendrore e Kosovës ka kompetencë t’i shqiptojë gjoba kompanive të sigurimit që i vonojnë pagesat, sikur në rastin e Prestreshit të cilit i është vonuar pagesa 9 muaj nga dita e arritjes së marrëveshjes.

Por, BQK nuk e kanë sqaruar as nëse kompania në fjalë është gjobitur siç kërkohet me nenin 37 të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, përkatësisht pikën 5 të këtij neni, ku kërkohet shqiptimi i gjobës nga BQK.

“BQK-ja shqipton gjobë nga pesëmijë (5.000) deri në dhjetëmijë (10.000) Euro ndaj siguruesit, kur siguruesi nuk i jep një ofertë apo informacion të arsyetuar palës së dëmtuar, brenda afateve të përcaktuara në nenin 26 të këtij ligji”, thotë neni 37.

Zëdhënësi Ahmeti ka thënë se BQK nuk shpalos të dhëna rreth gjobave të shqiptuara, duke mos treguar nëse është zbatuar obligimi ligjor.

Mirëpo, ky arsyetim nuk është i mbështetur në legjislacionin në fuqi.

Në bazë të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, përkatësisht nenin 27, BQK është e obliguar t’i shpalos, jo vetëm gjobat, por edhe emrin e kompanisë, kur ka shkelje ndaj policëmbajtësve.

“BQK-ja ndërmerr masa administrative ndaj siguruesit për shkeljen e dispozitave si më poshtë: shpallë në mjetet e informimit, me shpenzime të siguruesit, të dhëna lidhur me sjelljet jo korrekte të siguruesit përgjegjës në trajtimin e dëmeve”.

BIRN i është drejtuar për herë të dytë këtij institucioni me pyetje, me kërkesën që të zbatohet neni 27 i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia. Mirëpo, përgjigja e BQK-së, si edhe në rastin e parë, sërish nuk shpjegon nëse është dënuar ose jo kompania në fjalë.

“Nga mbikëqyrja e siguruesve,  varësisht të gjeturave, BQK-ja ndërmerr veprimet adekuate në pajtim me masën e shkeljeve”, ka thënë zyrtari për informim në BQK, Kushtrim Ahmeti.

Nga ana tjetër, në të gjitha këto raste, kur evidentohen shkelje të afateve ligjore, Zyra e Avokatit të Popullit, në një përgjigje për BIRN, i ka cilësuar shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Ky institucion ka treguar se çdo vit pranon me dhjetëra ankesa nga qytetarët nga lëmi i sigurimeve.

Në bazë të dhënave të BQK-së, në vitin 2016 prej 81 milionë euro sa kanë qenë të hyrat totale për tërë industrinë nga shitja e policave të sigurimit, për dëme kanë shkuar vetëm 37 milionë euro. Ne vitin 2017 primi ka qenë 84 milionë euro me dëme të paguara ishin vetëm 42 milionë euro, apo 53 për qind.

Me gjithë faktin se ka numër kaq të madh të dëmeve pezull, numri i qytetarëve që ankohen në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) është tejet i vogël. Në bazë të Ligjit për BQK-në, kjo e fundit është autoriteti i vetëm që e mbikëqyr tregun e sigurimeve në Kosovë. Në kuadër të saj, funksionon një departament i caktuar për trajtimin e ankesave të qytetarëve.

Sipas të dhënave të ofruara nga BQK, mesatarisht pranon 500 ankesa brenda vitit, prej të cilave gjysma janë ndaj kompanive të sigurimeve. BQK-ja ka sqaruar se 80% e ankesave janë ndaj kompanive të sigurimeve kanë të bëjnë me mos kompensim të dëmit material dhe jomaterial nga TPL dhe mos kompensimin e shpenzimeve mjekësore nga sigurimi shëndetësor, ndërsa vetëm rreth 20% për aplikimin e malusit.

Sistemi “Bonus-Malus”, përfshin secilin sigurues në Kosovë, i cili posedon policë të sigurimit të automjeteve. Qëllimi i këtij sistemi është evidentimi në një vend i të gjithë shoferëve të mirë dhe të disiplinuar dhe që janë të kujdesshëm në trafik. Krejt kjo me qëllimin që nga bonusi do të përfitojnë shoferët e mirë, derisa nëpërmjet malusit shoferët e papërgjegjshëm do të jenë në disavantazh.

BQK-ja po tenton që përmes mediave dhe rrjeteve sociale t’i sensibilizojë qytetarët.

“Përpos sensibilizimit të publikut, në theks të veçantë të policëmbajtësve, përmes broshurës që gjendet në faqen e internetit të BQK-së  si dhe përmes prezantimit të saj në rrjetin social Facebook dhe YouTube”, ka thënë ai.

Efekti i zvarritjes së lëndëve në gjykata

Në Byron Kosovare të Sigurimeve thonë se 92 deri në 96 për qind e lëndëve zgjidhen me marrëveshje jashtëgjyqësore, derisa tek lëndët që përfundojnë në gjykata mesatarja sillet rreth 3 deri në 8 për qind.

Në rastet kur palët e dëmtuara nuk arrijnë të merren vesh me kompaninë e sigurimeve rreth shumës së kompensimit, atëherë lënda përfundon në gjykatë. Në disa raste, nëpër gjykata lënda zvarritet deri në dhjetë vite nga momenti i aksidentit.

Rastet të cilat përfundojnë në gjykatë, të gjitha përfundojnë me kërkesë të palës së dëmtuar dhe jo të BKS-së. Numri i lëndëve të paraqitura për vitin 2017 është 3,600 kurse numri i atyre të paraqitura për vitin 2018 është 3,416”, sqaron Gëzonjeta Beqiri, administratore në BKS.

Gjendje e përafërt është edhe tek lëndët që trajtohen nga kompanitë e sigurimeve.

Agim Hoxha, drejtor i departamentit të dëmeve në kompaninë  e sigurimeve “Sigkos”, thotë se prej 459 kërkesave të paraqitura në vitin 2018, 96 për qind janë trajtuar dhe mbyllur me marrëveshje jashtëgjyqësore, derisa vetëm  4 për qind të rasteve kanë vazhduar me procedurë gjyqësore.

Edhe dy kompani tjera, “Sigal“ dhe “Sigma” kanë prezantuar të dhëna të përafërta që dëshmojnë se mbi 90 për qind e rasteve përfundojnë me marrëveshje jashtë gjyqësore mes palës dhe kompanisë, pa shkuar fare në gjykatë. BQK-ja nuk ka prezantuar të dhëna për numrin e rasteve që zgjidhen pa shku në Gjykatë.

Për njohësin e sigurimeve Besnik Nikçi, pretendimi i kompanive se 90 për qind e rasteve zgjidhen në procedurë të rregullt, pra pa shkuar rasti në gjykatë, nuk është statistikë e vërtet.

Ai ka folur në bazë të përvojës së tij si avokatë, kryesisht për kontestet ekonomike që lidhet me personat që vijnë për vizitë në Kosovë.

“Nga shënimet dhe përvoja që kemi për një periudhë më shumë se 10 vjeçare lidhur me konteste ekonomike me element të huaj, rezulton e kundërta – që më pak se 10 për qind të kërkesave zgjidhen me procedurë të rregullt, respektivisht 90 për qind me kontest”, ka vlerësuar Nikçi. Kur rastet shkojnë në gjykatë, Nikçi shton se kjo ka si pasojë rritjen e detyrimeve, jo vetëm të atyre për zhdëmtim, por edhe të kamatvonesës dhe shpenzimet e kontestit.

Zvarritja disa vjeçare e lëndëve nëpër gjykata është një prej faktorëve që ka detyruar shumë palë të pranojnë marrëveshje me kompensim shumë më të ulët sesa vlera e vërtetë e dëmit nga aksidenti. Por ka edhe raste kur pala i shkon çështjes deri në fund.

Enver Krasniqi, qytetar nga Obiliqi, është bërë pishmanë që lëndën e ka dërguar në gjykatë. Lënda e tij daton qysh në vitin 2008 kur edhe kishte pësuar aksident komunikacioni. Kompensimin prej 5 mijë e 500 euro ndaj tij kompania e sigurimeve “Insig” e ka kryer vetëm në fund të vitit 2018, pas përfundimit të procesit gjyqësor.

Fillimisht Krasniqi kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore, me 18.09.2008. Kësaj gjykate i janë dashur 5 vite për të vendosur në këtë çështje. Por kompania e sigurimeve “Insig” është ankuar edhe në Gjykatën e Apelit, të cilës i janë dashur edhe 5 vite tjera që kjo lëndë ta merrte epilogun përfundimtar.

Krasniqi beson që prapa zvarritjes së lëndëve nëpër gjykata qëndron politika që është e lidhur me kompani të sigurimeve.

“Arsyeja kryesore se pse po na maltretojnë është lidhja me politikën e kompanive të sigurimeve dhe gjykatave. Unë jam veteran. Kush mi paguan mua shqetësimet që i kam pas gjatë gjithë kësaj kohe. Me pas qenë 2 milionë euro edhe nuk ish dashtë kaq shumë vonesa me pas”, thotë Krasniqi, i cili jeton vetëm nga pensioni.

Në Gjykatën e Apelit, për zvarritjen pesë vjeçare të këtij rasti janë arsyetuar me numrin e madh të lëndëve të natyrës civile, ku aktualisht të grumbulluara janë 11 mijë e 706 lëndë.

Zyrtari për informim në Gjykatën e Apelit, Arbër Jashari, pranon se në Apel procedurat zgjasin me vite, sidomos të lëndët me kompensim dëmi, të cilat mund të presin deri në 4 vjet.

“Kjo pasi që këto lëndë nuk hynë në radhët e atyre që sipas ligjit kanë përparësi në vendosje, sikurse janë dhuna në familje, masat e përkohshme, kontestet e caktimit të kompetencës së gjykatave, kontestet e ndryshme lidhur me fëmijët, kontestet familjare, kontestet e punës,  lëndët për pengim në posedim, përmbarimoret, shpronësimet etj”, ka thënë Jashari.

Një arsye tjetër, Jashari ka përmendur faktin se ekziston vetëm një Gjykatë e Apelit në tërë territorin e Kosovës dhe se numri i lëndëve urgjente që vinë prej 7 shtatë gjykatave themelore është i madh.

Lidhur me ketë rast, BIRN i është drejtuar edhe kompanisë së sigurimeve “Insig” për ta pyetur se cila ka qenë arsyeja që e kanë apeluar vendimin e Gjykatës Themelore, por nuk ka marrë përgjigje. Apelimi i vendimeve të Gjykatave Themelore po ndikon që të zvarritet kompensimi i dëmeve edhe më shumë.

Një rast tjetër që është ende në procedurë, e të cilin e ka hulumtuar BIRN, është ai i Gentian Hilës. Ai kishte qenë pjesë e aksidentit në vitin 2008 dhe në të njëjtin vit kishte ushtruar padi. Pas vendosjes nga Gjykata Themelore lënda ka arritur në Apel në vitin 2012.

Në vitin 2014 është gjykuar dhe është kthyer në rigjykim. Pas vendosjes për herë të dytë në Themelore, lënda i ka shkuar sërish Apelit, por si lëndë e rregullt. Lënda e tij ende nuk ka marrë vendim të formës së prerë nëpër gjykata. Avokati Arbër Istrefi thotë lëndë që shkojnë në Apel për herën e dytë duhet të trajtohet me urgjencë dhe jo të futet si lëndë e rregullt.

Zyrtari për informim në Gjykatën e Apelit, Arbër Jashari, ka sqaruar se lëndët që vijnë për herë të dytë në gjykatë, gëzojnë përparësi, ndahen në punë më shpejtë. Por, lëndët tjera gëzojnë më shumë prioritet krahasuar më këto lëndë edhe në rastin kur vijnë në Apel për herë të dytë.

“Sa i përket rastit konkret, kjo gjykatë aktualisht është duke i shqyrtuar me prioritet lëndët e viti 2014, dhe sapo të përfundoj më to, do të filloj më ato te vitit 2015”, ka thënë Jashari.

Gjykata e Apelit aktualisht ka 17 gjyqtarë nga lëmi civil, ndërsa numri i lëndëve që presin në sirtar është 11 mijë e 706 lëndë, që i bije se secili nga ta ka nga 688 lëndë. Mirëpo sipas Jasharit Gjykata e Apelit është në procedurë të rekrutimit të 10 gjyqtarëve, 9 prej te cilëve do të punojnë në civile.

Rregullorja diskriminuese

Avokatët që merren me sigurime kanë kritika të mëdha posaqërisht tek rregullorja e BQK-së mbi përcaktimin e kritereve për vlerësimin e dëmeve jomateriale nga autopërgjegjësia. Neni 11 i kësaj rregulloreje, në dispozitën ku flitet për përcaktimin e invadilitetit tek të aksidentuarit, sipas Istrefit, është tejet diskriminues. Aty thuhet: “Përllogaritja e shkallës së zvogëlimit të aftësisë punuese (invalidetit), bëhet vetëm në rastet kur shkalla e zvogëlimit të aktivitetit jetësor është mbi 30%, e konstatuar nga mjeku”.

Sipas avokatit Arbër Istrefi, i cili merret kryesisht me lëndë nga fusha e sigurimeve, kjo dispozitë është diskriminuese ndaj kësaj kategorie.

“Si mundet kjo kategori e veçantë të jetë e varur apo e ndikuar nga aktiviteti jetësor kur dihet se aktiviteti punues është kategori e dëmit material dhe në praktikë ka shumë raste kur aktiviteti jetësor është nën 30 për qind, ndërsa ai punues mund të jetë edhe 100 për qind për personat me profesion të kualifikuar”, ka thënë Istrefi.

Thotë se ofertat nga kompanitë e sigurimeve në të shumtën e rasteve janë të ulëta. Kjo për shkak se kriteret e aprovuara nga kompanitë e sigurimeve dhe të cilat kritere janë të aprovuara edhe nga Banka Qendrore e Kosovës, nuk lejojnë që ofertat të jenë as të përafërta me shumat që gjykata i pranon për kompensime të lëndimeve.

“Problemi tjetër qëndron në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, saqë fatkeqësisht në praktikë ka raste kur klienti edhe nuk arrin të jetojë deri në ditën kur përfundon procesi gjyqësor me vendim të plotfuqishëm, pasi kjo mund të zgjatë edhe 10 vite”, ka thënë Istrefi.

Po ashtu, një numër i madh i lëndëve mbesin të pakompletuara, pasi shpeshherë kërkohet vendimi i gjykatës me të cilin është dënuar vozitësi i cili e ka shkaktuar fatkeqësinë, dhe kjo shkakton vonesa dhe lënda mbetet pezull. Sipas Istrefit, në njërën anë, kjo shkakton edhe zvarritje të procedurës pasi është përgjegjësi e Bankës Qendrore të Kosovës, që t’i kontrollojë rastet e lëna anash si të patrajtuara për ndonjë shkak të tillë kur kjo është e panevojshme e t’i udhëzojë kompanitë e sigurimeve t’i përfundojnë këto lëndë.

Ilustrim

Edhe Besnik Nikçi vlerëson se me këtë përformcancë të dobët të kompanive të sigurimeve në tregun e brendshëm, është gati i pamundur pranimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar të sigurimeve.

“Ekziston dallim evident i trajtimit te këtyre kërkesave nga siguruesit në Kosovë, në raport me vendet tjera. Ky dallim konsiston në atë se përderisa kërkesat e regresit/subrogimit kryesisht në shtetet tjera trajtohen në procedurë të rregullt respektivisht numri i kontesteve nuk arrin as 1%, në Kosovë kemi situatë tërësisht tjetër. Këto kërkesa me element të huaj kryesisht zgjidhen në Gjykatë, me një numër jashtëzakonisht të vogël të tyre që zgjidhen në procedurë të rregullt – çfarë ka për pasojë shpenzimet enorme të kontesteve”, vlerëson Nikçi. Sipas tij, një gjendje e tillë në trajtim të këtyre kërkesave jep një imazh dhe paraqet hezitim për Byrot e Sigurimeve të shteteve të Bashkimit Evropian në mbështetjen e Kosovës në anëtarësim në Sistemin e Kartës Ndërkombëtare të Sigurimeve.

“Ajo që me shumë brengos, është fakti se, jo vetëm kërkesat e siguruesve të huaj, por edhe kërkesat e ndërsjella të industrisë se sigurimeve zgjidhen në kontest – e jo në procedurë të rregullt, psh. përmes arbitrazhit, e veçmas kërkesat e drejtpërdrejta të palëve të dëmtuara”, thotë ai.

Rasti i qytetarit që ka pritur 10 vjet që të ketë një vendim të gjykatës dhe kompensim të dëmit dhe ai i Prestreshit që përkundër marrëveshjes me kompaninë nuk u kompensua për 9 muaj nuk janë të izoluar. Fat të ngjashëm pati edhe J.K., qytetar nga Kamenica. Ai kishte marrëveshje jashtëgjyqësore me kompaninë e  tij të sigurimit, por pagesa iu krye disa muaj me vonesë. Ankesa e avokatit të tij drejtuar BQK-së, sipas dokumenteve që posedon BIRN, nuk i dha efektet e duhura.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së)