AKP nuk e përfill Qeverinë, vazhdon me shitjen e aseteve milionëshe

Fotografi ilustruese

Në marrëveshjen për koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), një paragraf i kushtohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

“Kjo Agjenci do të shuhet dhe si e tillë do të transformohet në një agjenci brenda Qeverisë”, thuhet mes tjerash në këtë dokument.

Por përkundër kësaj, kjo agjenci e cila drejtohet nga Valon Tolaj, ka vazhduar me shitjen e aseteve të saj.

Reklama e sponzorizuar

Ceremonia e hapjes së ofertave të shitjes së aseteve përmes metodës së likuidimit nr. 54 është mbajtur sot. Për 93 asete sa ishin në shitje konkurruan 91 ofertues, ndërsa vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 2,254,33 euro. 

Në një njoftim për media të AKP-së thuhet se “dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve u bënë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm”.

Ndryshe qeveria Kurti parasheh mbylljen e kësaj agjencie dhe zëvendësimin e saj me Fondin Sovran. /Buletini Ekonomik/