Konjufca për Autostradën e Dukagjinit: Parashoh korrupsion të paparë deri më tani në Kosovë

Sipas deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, me projektin për autostradën e Dukagjinit Qeveria e Kosovës do të bëjë korrupsion që nuk është parë deri tash.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se shifra prej 580 milionë eurove e paraparë për shpronësim është tejet e lartë dhe se në këtë shifër me rreth 200 milionë euro s’dihet se çfarë do të ndodhë.

Ai ka thënë se sipas një llogaritje të tyre, i bie që një ari tokë e shpronësuar do të kushtojë mesatarisht 12-13 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

“Llogaritja e shpronësimit të tokave është tmerrësisht e lartë. Sipas një llogaritje kemi ardhur në përfundim se 200 milionë euro shpronësim s’do të mund të justifikohen. 600 milionë euro shpronësimi, 500 milionë ndërtimi. Kjo është shqetësuese. Parashoh korrupsion të paparë deri tash. Qysh tash po e themi këtë. Qysh po ndryshohet traseja, e qysh do të ndryshojë në çdo komunë, e cilët persona do të përfitojnë, gjithçka është shqetësuese. Nëse një projekt ka nevojë më së shumti për ta shikuar është ky”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se duhet kontroll i rreptë parlamentar për këtë projekt dhe duhet të shikohet çdo cent.

Konjufca ka folur edhe për projektin e “Kosovës së Re” ku ka thënë se së paku pesë miliardë euro do të kushtojë në total dhe se do të rrisë për 50 për qind çmimin e rrymës.