Këshilli i banoreve të Rahovecit i cili është duke kundërshtuar Trasën e Autostradës së “Dukagjinit” për pjesën e Rahovecit ndryshe i njohur si Varianti i Drinit, reagon ndaj komunikatës së Ministrisë së Infrastrukturës, sepse komunikata e Ministrisë së Infrastrukturës sipas tyre në përmbajtjen e saj ka shumë të pavërteta.
Deklarata e plotë:
Fillimisht dëshirojmë të njoftojmë opinionin e gjerë se në komunën e Rahovecit është duke u mbajtur një peticion i cili tashmë ka tejkaluar numrin prej 6000 personave të nënshkruar, me këtë dëshirojmë të informojmë edhe Ministrin e Infrastrukturës se ne nuk jemi një grup i caktuar me pretendime politike, por kjo është një nismë e banorëve të Komunës së Rahovecit të pakënaqur me Variantin e Propozuar nga Ministria e Infrastrukturës.
1. Gjatë Debateve të mbajtura në Komunën e Rahovecit rreth çështjes së Autostradës së Dukagjinit për pjesën e Rahovecit, unanimisht të gjithë banoret dhe inxhinierët e fushës së Ndërtimtarisë, Arkitekturës, Bujqësisë, Ekonomisë etj, ishin kundër “Variantit të Drinit të Bardhë”.
2. Njëashtu gjatë debateve edhe kompania projektuese “InfraPlus” dhe Inxhinierët e saj ishin kundër “Variantit të Drinit” shkaku që është e pamundur të ndërtohet Autostrada buzë lumit Drini i Bardhë.
3. Në debate ishin prezentë edhe Profesorët Universitarë të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të cilët ishin kundër Variantiti të Autostradës e cila kalon buzë Lumit Drini i Bardhë.
4. Nga të gjithë personat prezent është përkrahur Varianti nr.1, sepse është varinti i cili nuk dëmton tokat bujqësore në komasacion dhe nuk dëmton lumin Drini i Bardhë. Duke e parë komunikatën e Ministrisë së Infrastruktuës që ka bërë krahasime ndërmjet variantit të përkrahur nga banorët e Komunës së Rahovecit dhe varinatit të përkrahur nga Ministria e Infrastrukturës, ne do t’i demantojmë në vijim disa nga argumentet e prezentuara nga Ministria e Infrastrukturës.
Në vijim i paraqesim disa nga faktet të cilat Ministria e Infrastrukturës nuk është duke i cekur me të vetmin qëllim që të manipulohet masa. Varianti nr.6-Varianti buzë lumit Drini i Bardhë
• Me Variantin e Autostradës për pjesën e Rahovecit kemi shkeljet ligjore të ligjit mbi Regullimi e Tokave.
• Me “Variantin e Drinit” shkatërohet zona tek “Ura e Fshejtë” dhe shkatërohen “Kanionet” të cilët janë të mbrojtura me ligj që nga viti 1986.
• Me Variantin e Autostradës buzë lumit Drini i Bardhë do të pamundësohet edhe ndërtimi i EKO ZONAVE, të cilët janë planifikuar të ndërtohen nga investitorë të huaj, projekte tashmë të prezentuara Presidencës dhe Qeverive të kaluara.
• Me “Variantin e Drinit” dëmtohen Tokat Bujqësore të cilët janë në komasacion, dëmtohen 110 hektarë tokë në komasacion.
• Me “Variantin e Drinit”, Komunës së Rahovecit do ti ndalohet qasja në Lumin Drini i Bardh në një gjatësi prej 15 km.
• Me “Variantin e Drinit” do të kemi betonizimin e tërësishëm të lumit Drini i Bardhë dhe dëmtimit të gjithë ekosistemit.
• Me “Varantin e Drinit” tashmë do të shuhen edhe garat e kërcimit, gara këto të nivelit ndërkombëtar të cilët janë duke u zhvilluar te “Ura e Fshejtë”.
• Kostoja e Shpronësimit të Tokave me Variantin e Drinit të Bardhë arrin shifrat prej 99 milionë euro vetëm për pjesën e Rahovecit.
• Gjatësia e trasës me “Variantin e Drinit” është më e gjatë për 3 km në 25 km nga “Ura e Fshejtë” deri tek kyçja në Autostradën “Ibrahim Rugova”, dhe nëse marrim çmimin prej 10 milionë euro për kilometër do të thotë se ky variant është për 30 milionë euro më i shtrejtë.
• Me “Variantin e Drinit të Bardhë” edhe vozitja do të jetë më e rrezikshme shkaku i ngricave të cilët janë prezentë gjatë stinës së dimrit, në këtë mënyrë do të rrezikohet edhe jeta e qytetarëve.
• Me “Variantin e Drinit” anashkalohet Komuna e Rahovecit, dhe Komuna e Mamushës, ku mbesin të vetme Komuna në Rafshin e Dukagjinit të cilave ju mohohet qasja në këtë Autostradë.
• Me “Variantin e Drinit” do të shpronësohen pronat e oligarkëve partiak të AAK-së. Varianti nr.1-( I përkrahur nga Banorët e Komunës së Rahovecit ) •
Varianti i cili është përkrahur nga banorët e Rahovecit si dhe nga inxhinierët e fushave të ndryshme.
• Nuk dëmtohen tokat bujqësore në komasacion, kryesisht dëmtohen tokat jo pjellore të klasit 5 dhe klasit 6.
• Shpronësimi i tokave me këtë variant do të kushtonte rreth 35 milionë euro.
• Kemi sipërfaqe komunale dhe nën administrimin e Ekonomisë së pyjeve prej 85 ha ku do të kalojë trasa e Autostradës.
• Do të dëmtoheshin vetëm 5 ha me vreshta, kurse nga Statistikat të Departamentit të Vreshtarisë dhe Verërave vetëm në Komunën e Rahovecit për çdo vit shkulen rreth 10 hektar me vreshta.
• Me këtë variant do të përfitonte përpos Komunës së Rahovecit edhe Komuna e Mamushës, njëherit nuk do të dëmtoheshin tokat bujqësore te fshatrave të Komunës së Prizrenit.
• Ky variant vetëm me shpronësim do të jetë më i lirë rreth 65 milionë euro.
Gjatë takimeve të këshillit të banorëve të Rahovecit me Kryetarin e Komunës së Rahovecit dhe kompanisë projektuese “InfraPlus”, ku gjatë takimeve përfaqësuesit e kompanisë deklaruan që ata nuk kanë bërë ndonjë analizë të mirëfilltë ekonomike, nuk kanë kryer matjet gjeologjike, matjet gjeodezike etj, por këtë variant të Drinit janë duke e shtyrë përpara vetëm disa persona të caktuar. Duke pasur parasysh këtë krim i cili tashmë është duke ndodhur ne si banorë të Rahovecit nuk do të ndalemi me kundërshtimin tonë, madje në javët në vijim do të caktojmë edhe ditën e protestave të cilët do të organizohen në Rahovec si dhe pranë Kryeministrisë. Ne si Këshill i banorëve të Rahovecit apelojmë edhe tek Kryeministri i Kosovës z.Ramush Haradinaj që të reflektojë rreth këtij shqetësimi të banorvëe të Komunës.