Rreth 1 mijë euro do të shpenzohen nga buxheti i shtetit më të varfër në rajon për të paguar një fushë sportive vetëm që Presidenti Thaçi të mund të luajë futboll bashkë me stafin e tij. Sipas kontratës, Presidenca do të mund ta shfrytëzojë këtë fushë me këtë çmim vetëm për tre muaj.
Presidenti Hashim Thaçi do të takohet më shpesh tash e tutje me stafin e tij. Përveç punës në Presidencë, në tre muajt e ardshëm do t’i bëjë bashkë edhe futbolli.
Ata kanë vendosur që të huazojnë një fushë sportive që të mund të luajnë futboll të vogël përgjatë këtyre muajve.
Së paku kështu thuhet në njoftimin për nënshkrim të kontratës që ka publikuar Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Në bazë të njoftimit të publikuar në KRPP, shuma që do të pagujë Presidenca për tre muaj për shfrytëzimin e kësaj fushe sportive shkon deri në 1 mijë euro.
Për këtë tender, kishin dorëzuar ofertat e tyre tri kompani, por që në fund fituese është shpallur Qendra Sportive “Learti” në Prishtinë.
Kontrata ka vlerë të përgjithshme prej 950 eurove, derisa nënshkrimi I saj është bërë më 26 mars të këtij viti.
Ndryshe, edhe gjatë vitit të kaluar, Zyra e Presidentit kishte dhënë një tender të ngjashëm për huazim të një fushe sportive.