Në emër të rrezikimit të fondeve për ndërtimin e sallës koncertale, kryeministri i Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Kulturës që të bëhet një zgjidhje sa i përket statusit ligjor të ish-ndërtesës së “Gërmisë”, që është monument. Të martën në mbledhjen e Qeverisë kryeministri Haradinaj ka shkuar edhe më tej sa i përket kësaj çështjeje.
Ka kërkuar nga ministri i Kulturës ndonjë opsion tjetër pos atij që përcaktohet me Ligjin për trashëgimi kulturore. Ka thënë se BE-ja i ka alarmuar se rrezikojnë të mos e marrin fondin prej 15.4 milionë eurosh.
“Para disa kohe ne e kemi bërë lirimin nga obligimi që kishim marrë me një vendim paraprak për sallën koncertale që t’iu krijojmë juve mundësinë vepruese. Jemi në presion të afatit kohor për shkak të fondeve të BE-së. Nuk dëshirojmë t’i humbim ato fonde. Si do të shkojnë procedurat dhe a do të gjejmë zgjidhje që ato fonde të investohen dhe ta kemi sallën koncertale?”, i është drejtuar kryeministri Haradinaj ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi. Në këtë rast, kryeministri ka rikujtuar se në tetor të vitit të kaluar, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhet pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohet në sallë koncertale.
Më 19 mars Qeveria e ka ndryshuar vendimin. E ka hequr pikën tre. Ka hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme.
Ish-ndërtesa e “Gërmisë” ishte futur në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme më 10 tetor të vitit të kaluar.