Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Isftrefi dhe kryetarja e Bordit të kësaj ndërmarrje, Besa Shatri-Berisha, po raportojnë në Komisionin Hetimor për gjendjen në Vala dhe PTK.
Para komisionit, Istrefi tha se si pasojë e mungesës së kontratës për sistemin e mirëmbajtjes, Telekomit iu janë larguar rreth 120 mijë klientë.
“Ka 1 muaj e gjysmë qe e kam marrë këtë pozitë por jam përmbi 10 vite brenda Telekomit dhe kam qenë i njohur për sfidat aty. Gjendja momentale nuk është që nuk ka mundësi të krijohet një stabilitet. Në momentin që kam marrë pozitën e kam thirr menaxhmentin për të krijuar mundësi për të sjellë një stabilizim aty. Ne ka kohë që nuk kemi sistem të mirëmbajtjes dhe si pasojë e kësaj 120 mijë klientë janë largu nga rrjetet tona. Sot ne po kërkojmë mundësi ti përdorim mekanizmat e shtetit që ato para që i kanë përgjegjësi ndaj Telekomit të kthehen në Telekom”, tha Istrefi, raporton EO.
Istrefi shtoi se Telekomi i ka alarmuar edhe institucionet e vendit që nëse nuk arrihet kontrata për sistemin e mirëmbajtjes e cila sipas Istrefit, kushton 6.5 milion euro, atëherë do ketë rrezik të bien të gjitha shërbime.
“Duke e parë gjendjen e vështirë që është momentalisht ne i kemi alarmuar institucionet tona që ka mundësi që të binë të gjitha shërbimet si pasojë e mos pasjes së kontratës të sistemit të mirëmbajtjes cila kushton 6.5 milion euro”, shtoi Istrefi.
Ndërsa, kryetarja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri – Berisha, tha se kjo ndërmarrje ka nevojë për financim, sipas saj, deri me tani nuk janë përmbushur. Ajo e pohoi se Telekomi është në rënie.
“Telekomi është në rënie, investime nuk ka. Probleme kyçe janë edhe mbyllja e borxhit me Z-Mobile, kalimi ne kodin 383, mbyllja e borxheve të tjera, e kështu me radhë”, tha ajo.
Tutje Shatri tha se Ministria e Zhvillimit Ekonomik vazhdon të i shfrytëzon shërbimet e konkurrentëve të Telekomit. Sipas Shatrit, është e palogjikshme.
“Vlera e investimeve të domosdoshme është sjellë afër 30 milionë. MZhE është aksionare dhe i shfrytëzon shërbimet e konkurrentëve tanë. Është e palogjikshme që institucionet tona shfrytëzojnë shërbimet e konkurrentëve tanë”, tha ajo.
Kryetarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri, tha se kontratat e Telekomit me operatorët e jashtëm, menaxhmenti dhe bordi aktual nuk ka mundësi të i shkëpusë pasi qe janë në pamundësi të shkëputjes.