Me kontratën për ndërtimin e Kosovës së Re, Qeveria e Kosovës i ka vënë në dispozicion të investitorit edhe tokat e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Për t’i siguruar investitorit mbarëvajtje në punë, Qeveria e Kosovës ka detyruar kompanitë publike siç është KEK-u të nënshkruajnë kontrata që nuk do të jenë në interes të kësaj korporate.
Sipas Kontratës për Mënjanimin e Hirit dhe Gipsit (Ash and Gypsum Disposal Agreement) ta zëmë, KEK-u është i obliguar që t’i sigurojë Contour Global-it hapësirat për deponim të hirit dhe gipsit, pa asnjë cent, pra totalisht falas.
Por më e çuditshmja është kontrata për Bartjen e Tokës (Site Transfer Agreement) me anë të së cilës lidhet marrëveshja që KEK-u t’ia shesë tokën (pronë e KEK-ut) Contour Global-it, në të cilën do të ndërtohet termocentrali i ri. Çmimi i shitjes është 10 (dhjetë) euro, për afro 15 hektarë tokë – një çmim ky në shpërputhje ekstreme me çmimin e tokës që u pagua për shpronësim në Shipitullë. /Buletini Ekonomik/