Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka dhënë ultimatum palës kosovare që deri më 6 maj 2019 ta heqë taksën ndaj mallrave të tyre, në të kundërtën ka paralajmëruar masa konkrete. Por deputetët e partisë së kryeministrit Haradinaj kanë thënë se Kosova është për dialog, porse nuk pranon kushte e as ultimatume nga Serbia.
Këtë të diel bëhen pesë muaj prejse Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për rritjen e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe nga 10 për qind sa ishte në 100 për qind.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili menjëherë pas këtij vendimi pati bërë të ditur se nuk do të merrte pjesë në bisedime deri në heqjen e tarifës, ditëve të fundit i ka dhënë ultimatum Kosovës për heqjen e tarifës, shkruan Zëri.
Sipas Vuçiqit, po qe se Kosova nuk e largon masën prej 100 për qind deri më 6 maj 2019, ditën kur bëhen gjashtë muaj kur taksa fillimisht ishte vendosur vetëm prej 10 për qind, do të ndërmarrë masa konkrete ndaj Kosovës.
Pavarësisht kësaj, zyrtarë të AAK-së, partisë që drejton kryeministri Ramush Haradinaj, thonë se taksa do të vazhdojë të mbetet në fuqi dhe se nuk pranohen kurrfarë kushtesh nga Serbia.