Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me një vit burgim efektiv drejtorin e Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH), Abdylkadër Muçaj.
Kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka deklaruar se dënimi do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil, ndërkaq tanimë i dënuari do të paguajë shpenzimet e procedurës penale dhe 200 euro në emër të paushallit 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Ndryshe, aktakuza e përpiluar më 14 tetor 2015 ,nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në tetor të vitit 2015, pretendon se Muçaj, në cilësinë e drejtorit të Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të ARH-së, ka lëshuar një vendim në kundërshtim me ligjin.
Ky vendim i 31 marsit 2014, ka të bëjë me revokimin e licencës për transport hekurudhor të mallrave për ndërmarrjen “Railtrans” L.L.C., me seli në Prishtinë.
Sipas prokurorisë, ky veprim i kundërligjshëm i Muçajt, i kishte sjellë përfitime operatorit të vetëm publik dhe monopolist “Trainkos”, duke e dëmtuar kështu kompaninë “Railtrans”, me vlerë prej 1.2 milion euro.