KE-ja rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë

Komisioni Evropian ka paraqitur para Parlamentit Evropian progres-raportet për shtetet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.

Johannes Hahn, Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, edhe kësaj radhe ka rekomanduar çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Ne kemi folur për strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Raporti i këtij viti parashtron progresin që kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor. Mbeten shumë sfida. Ne do paraqesim të njëjtin rekomandim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zbatimi i ligjit dhe stabiliteti mbeten disa nga pikat që duhet të zbatojnë këto vende”, ka thënë Hahn, raporton TopChannel.

Reklama e sponzorizuar

Në leximin e progres-Raportit, Komisioneri Hahn u shpreh se “Shqipëria është duke bërë reforma, transformim të rëndësishëm në fushën e drejtësisë”.

“Ky është një shembull edhe për vendet e tjera. Të dyja vendet kanë bërë progres. Në këtë bazë komisioni rekomandon hapjen e negociatave për të dy vendet. Ato i janë përgjigjur strategjisë për Ballkanin, jam i kënaqur të shikoj sesi Shqipëria ka ndjekur reformën në drejtësi, sidomos në sistemin gjyqësor, rivlerësim të paprecedentë të prokurorëve dhe gjykatësve. Edhe në lidhje se si Maqedonia e Veriut zgjidhi çështjen e emrit. Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociatat tani me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Hahn.

Duke lexuar raportin, Hahn ka kërkuar që të kihen parasysh investimet kineze në Ballkan.

“Sfida e tretë për këto vende është ekonomia. Vendet duhet të zbatojnë reforma në sajë të përmirësimit të ekonomisë. BE është partneri ynë kryesor por duhen marrë në konsideratë edhe investimet e Kinës”, tha ai.

Pas marrjes serish të rekomandimit për çeljen e negociatave nga Komisioni Evropian, janë vendet anëtare që do të vendosin për këtë propozim. E vendimi final i takon Këshillit të ministrave të jashtëm të vendeve BE, që do të mblidhen në qershor.

Holanda dhe Gjermania do të marrin miratimin e Parlamentit për të vendosur pro këtij vendimi, teksa Franca dhe Belgjika janë skeptike për të vijuar me zgjerimin e BE në këtë kohë.

Në lidhje me Serbin dhe Malin e Zi, Hahn tha se këto dy vende duhet të rrisin përpjekjet e tyre në lidhje me çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Serbia dhe Mali i Zi, duhet të rrisin përpjekjet në punën e tyre. Kjo është më e rëndësishmja dhe kushti për të ecur përpara në rrugën e integrimit. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, këto dy vende duhet ta vazhdojnë atë. Kosova duhet të heqë tarifat për Serbinë dhe Bosnjën. Tarifat për Serbinë dhe Bosnjën duhet të hiqen. Kosova duhet të bazohet në marrëveshjen e MSA-së”, tha Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit. Johannes Hahn.

Ndërkaq, pak minuta pasi Komisioni Evropian rekomandoi çeljen e negociatave që tani mes Shqipërisë dhe BE, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.

Me një status në faqen e tij në Twitter, Rama shkruan se me këtë rekomandim, konfirmohet se “Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces”.