Korporata Energjetike e Kosovës është deklaruar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që shpalli të pafajshëm Sami Lushtakun dhe të tjerët, në lidhje me tenderin 6 milionësh për sigurimin fizik.
Njoftimin për media, KEK-u e nis me faktin se “historia e hetimeve të filluara në tetor të vitit 2012 rreth dyshimeve të pabazuara për keqpërdorime në tenderin e sigurimit fizik të Korporatën Energjetike të Kosovës është mbyllur sot.
“Gjykata Themelorë në Prishtinë ka thënë fjalën e fundit me të cilën është vërtetuar se nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore dhe nuk është vërtetuar asnjë provë e pretenduar se zyrtarët e KEK-ut të kenë bërë shkelje ligjore apo çfarëdo çofshin ato. Ky vendim edhe një herë vërteton pastërtinë dhe përkushtimin e zyrtarëve të KEK-ut qe me përgjegjësi të lartë juridike i kryem obligimet dhe detyrat tona siç parashihen me ligj dhe në të mirë të Korporatës, qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, thuhet në reagim.
“E kemi sqaruar me dhjetëra herë se e gjithë akuza e ngritur është e pabazuar dhe nuk ka pasur asnjë shkelje gjatë këtij procesi, por në vazhdimësi jemi sulmuar dhe kritikuar njëanshëm me spekulime nga me të ulëtat. Prandaj sot ndjehemi mirë dhe e kemi mirëpritur këtë vendim të Gjykatës për përfundimin e kësaj çështje”, thuhet më tej në njoftim.