Bislimi sqaron pakon emergjente fiskale pas ankesave të qytetarëve

Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi, ka sqaruar çështjen e pakos emergjente të Qeverisë për të cilën një pjesë e qytetarëve nuk janë futur në kategorizimin si përfitues të kësaj pako-je.

Bislimi i është përgjigjur pyetjes se cila është zgjidhja e ofruar për punëtorët që kanë punuar në baza ditore (ose nuk kanë asnjë familjarë që siguron të ardhura).

Reklama e sponzorizuar

“Kjo masë përpiqet të mbulojë atë pjesë të familjeve që burim të vetëm të të ardhurave kanë punët e përkohshme ose angazhimet në punë kujdestarie apo mirëmbajtjeje nëpër familje private. Të gjithë këto familje mund të përfitojnë nga masa e 15 e pakos emergjente të qeverisë (130 euro për tre muajt në vijim), në rast se dokumentojnë që këto të ardhura janë burimi i vetëm i të hyrave të familjes”,  thotë Bislimi.

Sipas tij, kjo nënkupton që aplikuesit, kur të dorëzojnë certifikatën familjare duhet të dëshmojnë që asnjë anëtarë i tyre nuk është në marrëdhënie të rregulltë pune dhe po ashtu nuk janë pjesë e asnjërës nga skemat sociale e pensionale të sektorit publik.

“Verifikimi bëhet përmes data bazës së administratës tatimore të Kosovës dhe departamentit të Thesarit në Ministrinë e Financave dhe Transfereve.

Është shumë me rëndësi që qytetarët të kuptojnë që deri në publikimin e hapave që duhet të ndërmerren për aplikim (aplikim i thjeshtëzuar dhe nëse teknikisht e mundur do të bëhet online), ata nuk kanë nevojë të ndërmarrin asnjë veprim apo vizitë në institucione për t’u lajmëruar”, ka shkruar Bislimi në Facebook.