Kompania amerikane ‘General Electric’ përzgjedhet ta ndërtojë termocentralin ‘Kosova e Re’

Contour Global dhe Qeveria e Kosovës njoftojnë se konsorciumi i kompanive të General Electric (“GE”) është përzgjedhur si Ofertuesi i Preferuar në tenderin për Inxhinieringun, Prokurimin, Ndërtimin (“EPC”) dhe Mirëmbajtjen Afatgjatë (“LTM”) për Projektin e Termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Valdrin Lluka ka thënë se Qeveria e Kosovës është e kënaqur me interesimin e madh të tregut për projektin Kosova e Re.

“Projekti pasqyron nevojën për kapacitet shtesë energjetik për të përmbushur nevojat afatgjate të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në Kosovë. Përzgjedhja e GE-së si Ofertuesi i Preferuar e vë Kosovën një hap më afër arritjes së një rezultati të suksesshëm të këtij procesit të filluar shumë kohë më parë me mbështetjen e shumë institucioneve ndërkombëtare. Qeveria do të marrë pjesë në procesin e negociatave me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të kushteve në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Zbatimi i suksesshëm i këtij projekti ka potencialin për të ndryshuar perspektivën e përgjithshme ekonomike të vendit.”

Reklama e sponzorizuar

Siç është njoftuar shtatorin e vitit të kaluar katër kompani të parakualifikuara u ftuan të paraqesin propozimet e tyre teknike dhe financiare.

GE, ContourGlobal dhe Qeveria e Kosovës planifikojnë qe të vazhdojnë negociata të mëtejshme me qëllim të arritjes së një marrëveshje mbi kushtet përfundimtare.