Kosova dhe Britania së shpejti me marrëveshje për tregti të lirë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala gjatë takimit që zhvilloi me Andrew Mitchell, Komisionerin e Tregtisë për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, theksoi se ky vend ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në ndërtimin e Kosovës.

Shala shprehu mirënjohje për Mbretërinë e Bashkuar që tha se është hisedare në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar që marrëdhëniet e shkëlqyera politike në mes të dyja vendeve të kthehen edhe në aspektin ekonomik.

Ministri dhe komisioneri britanik u dakorduan që së shpejti të nënshkruhet edhe marrëveshja në mes dy vendeve për tregti të lirë.

Reklama e sponzorizuar

Shala shpjegoi edhe potencialin që ka Kosova për investime të huaja, duke nisur nga energjia e ripërtërishme, investimi në miniera, në bujqësi dhe turizëm.

Po ashtu, Shala dhe Mitchell u dakorduan për inicimin e marrëveshjes për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Komisioneri Mitchell vlerësoi marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke bërë të ditur se Britania ka interes t’i rris shkëmbimet tregtare dhe po ashtu ta rris prezencën me investitorë.

Bashkë me komisionerin Mitchell në takim ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.