Komuna e Vushtrrisë ka lëshuar 35 leje ndërtimi për objekte të kategorisë së dytë, objekte banesoro-afariste, por ajo nuk ka dhënë asnjë pjesë të tokës komunale për ndërtim të lartë me koncesion. Shumë ankesa të banorëve për ndërtime të larta në mjediset ku ata jetojnë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Komuna e Vushtrrisë ndoshta është komuna e vetme në Kosovë, e cila deri më tani nuk ka dhënë as edhe një pëllëmbë tokë komunale me koncesion për ndërtime të larta, ndonëse ato lejohen me ligjet në fuqi, nga të cilat përfitojnë komunat.
Fortuna Krasniqi-Spahiu, zyrtare për leje ndërtimi në Drejtorinë e Urbanizmit dhe për Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Vushtrrisë, i tha “Zërit”, të hënën, se nuk është lejuar asnjë ndërtim i lartë në pronën publike, shkruan tutje “Zëri”.
“Asnjë ndërtim i lartë nuk është bërë në pronën publike, ndërtimet e larta janë bërë në prona private, kompanitë janë marrë vesh me pronarët dhe pastaj kanë aplikuar në Komunë për leje ndërtimore. Të gjitha ndërtimet e larta që posedojnë leje ndërtimore e kanë dokumentacionin e kompletuar”, ka thënë ajo.