Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë edhe një urim për liberalizimin e vizave. Ai e ka parë pozitiv një shkrim të gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung ku shkruhet rreth vendimit të Ministrit të Brendshëm të Gjermanisë për ta mbështetur heqjen e vizave për kosovarët.
“Gjermania edhe njëherë konfirmon mbështetjen e Kosovës për liberalizimin e vizave.Në publikimin e radhës të FAZ, theksohet mbështetja e Ministrit të Brendshëm të Gjermanisë, Seehofer për procesin e liberalizimit të vizave, duke e konsideruar të justifikueshme kërkesën e kosovarëve për të lëvizur të lirë dhe duke këmbëngulur që Kosova përmbushë kriteret e nevojshme për këtë proces” shkruan shefi i Qeverisë.
Haradinaj citon edhe pjesë të artikullit duke rikujtuatr se heqjes së vizave i kishte dhënë mbështetje edhe deputeti i Partisë së Gjelbër Manuel Sarrazin, derisa në korrik të 2018-tës, Komisioni i BE-së konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat, e po të njëjtin vlerësim vendi e mori edhe nga Parlamenti Europian.
“Tani Kosova ka krijuar ekipin e saj për të bashkëpunuar me Qeverinë gjermane, që ky proces të finalizohet sa më parë.
Kosovarët, tashmë e kanë marrë PO-në e madhe nga Gjermania, për ta jetësuar të drejtën e tyre për lëvizje të lirë.
Urime Kosovë!RH” ka shkruar Haradinaj.
Rreth kësaj çështjeje ka një përplasje në mes të Kryeministrit Haradinaj dhe Presidentit Thaçi. Javën që shkoi Thaçi goditi gati direkt ambasadorin gjerman duke thënë se heqja e vizave po premtohet në shkëmbim të heqjes së taksës.