Sindikata e Muzeut kundër drejtorit të ri

Sindikata e Muzeut Kombëtar të Kosovës, pas gjendjes së krijuar me vendimin e Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa në MKRS, për kthimin e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ka shprehur shqetësimin lidhur me ecurinë e procesit në fjalë.

Sipas sindikatës, zgjedhja e  drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës nuk është bërë mbi bazën e respektimit të procedurave ligjore dhe përformancës së kandidatëve, por mbi baza partiake dhe nepotike, duke shkelur mbi parimet ligjore të përcaktuara me ligjet në fuqi.

Reklama e sponzorizuar

Sindikata thotë se ky proces fillojë të degradohet nga periudha e hartimit të rregullores 15/2018 për gradat dhe pagat e krijuesve dhe përformuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore dhe me theks të veçantë,  statuti i MKK-së, i cili është hartuar dhe miratuar pa konsultimin e punëtoreve të MKK-së dhe si i tillë është hartuar me përmbajtje komplet politike, kundër parimeve profesionale të punëtoreve të Muzeut.

“Gjatë gjithë procesit të rekrutimit kishte shkelje në zhvillimin e procedurave, si procesi i rekrutimit në karrierë i zhvilluar si procedurë e parë, nuk është zhvilluar sipas procedurave të rregullores nr. 21/2012 për Avancimin në Karrierë të Nëpunësve Civil, organizimi i testit me shkrim kishte karakter selektues, duke hartuar pyetje jo profesionale të pa artikuluara  drejtë dhe me tendencë të manipulimit politik. Po ashtu edhe vlerësimi u manifestua me ndërhyrje të plotë politike, i gjithë procesi degradoj me organizimin e intervistës dhe rrjedhimisht me publikimin e rezultateve përfundimtare nga Këshilli Drejtues i MKK-së, ku është emëruar  drejtor i MKK-së, anëtari i PDK-së dega në Drenas, kandidati me përfomancën  më të dobët dhe jo-profesionale, në kundërshtim me statutin që e kishin përpiluar vet Këshilli Drejtues i MKK-së, së fundmi, në vend që të anulohet e gjithë procedura dhe procesi të kthehet në piken zero, përkundrazi disa akter aventurier të MKRS-së, përkatësisht, Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa në MKRS,  ia mundësuan  kthimin në punë, z. Ajet Leci, që bie në kundërshtim të plotë me vendimin për shkarkimin e Leci nga Ministri z.  Kujtim Gashi, Sekretari Permanent z. Veton Firzi dhe Zyra e Personelit në MKRS. I gjithë ky mashtrim rezulton me nënshkrimin e kontratës, drejtor i MKK-së, të z. Ajet Leci, i cili nga data 12.11.2019 filloj të ushtroj detyrën e drejtorit në MKK. Kryesia e Sindikatës,  vlerëson se muzeu vazhdon të mbetet në udhëkryqe, duke u ofenduar dhe degraduar në mënyra dhe forma të ndryshme nga partitë politike të cilat e drejtuan MKRS-në, në rasti konkret, PDK-ja”, thuhet në reagim.

Me ketë rast,  Sindikata e  Punëtoreve të Muzeut Kombëtar të Kosovës,  i bënë thirrje ministrit në detyrë Kujtim Gashi, sekretarit permanent Veton Firzi, zyrës së personelit në MKRS dhe Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa në MKRS;

“Të anuloj vendimin antiligjor të Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa në MKRS, të ndalen emërimet partiake politike të cilat e degradojnë institucionin më të lartë të trashëgimisë kulturore-muzeore në vend të organizojnë një konkurs të ri me kritere të pavarura profesionale, etj. Sindikata e punëtorëve të MKK-së, përmes kësaj shkrese rikonfirmon edhe një herë se në rast të mosplotësimit të kërkesave të lartcekura do të vazhdoi të kërkoj respektimin e kërkesave në fjalë përmes rrugëve ligjore dhe formave tjera”, thuhet në reagim. /KosovaPress/