Komisioni për Zhvillim Ekonomik nuk e ka votuar vendimin e Qeverisë për krijimin e komitetit për privatizimin e Telekomit.
Deptueti Dardan Sejdiu, ka thënë se votimi i këtij komiteti, i cili më pas duhet të miratohet në Kuvend, nuk duhet të ndodhë pa e shqyrtuar raportin e Komisionit hetimor parlamentar për këtë ndërmarrje, raporton KTV.
Por, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se nuk ka shumë shpresë që Telekomi të rimëkëmbet dhe se bazuar në praktikat ndërkombëtare privatizimi është zgjidhja e duhur.
Lluka ka thënë se Sindikata e punëtorëve do të jetë e përfshirë në çdo procedurë kur do të ndodhë privatizimi.
Megjithatë punëtorët nuk kanë ndryshuar qëndrim dhe janë të vendosur që në çfarëdo forme të kundërshtojnë privatizimin e ndërmarrjes.
Telekomi i Kosovës ka kohë që është në gjendje të rëndë financiare.
Ndërmarrja i ka borxh Z-Mobile-it rreth 26 milionë euro, ku kjo e fundit i ka dhënë afat vetëm deri në qershor që të gjendet një zgjidhje rreth këtij borxhi.