Lufta tregtare Kosovë-Shqipëri, Haradinaj nuk përjashton vënien e taksës edhe për Shqipërinë

Lufta tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë është acaruar ditëve të fundit. Të mërkurën, dy shtetet mike janë përplasur për tregun. Nuk ka mbetur pa u përmendur edhe vendosja e një takse nga ana e Kosovës për Shqipërinë. Për këtë paralajmërim, ka folur vetë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Reagime kanë bërë edhe shoqëria civile dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Shqipëria dhe Kosova kanë mbyllur dy ditë ma parë një takim për lehtësimin e tregtisë, por në vend të lehtësimit një luftë e re tregtare dhe më e ashpër është shfaqur në sfond.

Monitor ka raportuar se angazhimi sipërfaqësor i qeverisë shqiptare për të lehtësuar tregtinë nuk ka funksionuar teksa Kosovës i ka humbur durimi.

Reklama e sponzorizuar

Nëse Shqipëria nuk heq barrierat penguese për miellin, birrën dhe pataten në dy muajt në vijim qeveria e Kosovës do të aplikojë reciprocitetin në marrëdhëniet tregtarë me Shqipërinë, duke lajmëruar një taksë 100 për qind për prodhimet shqiptare.

Për këtë çështje është deklaruar vetë shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj në një konferencë për media ka thënë se shpreson që të zgjidhen problemet e tregtisë që Kosova ka me Shqipërinë, derisa nuk ka pohuar e as mohuar nëse do t’i vendoset taksë edhe Shqipërisë.

Haradinaj, i pyetur lidhur me mundësinë e vendosjes së barrierave tarifore ndaj Shqipërisë, ka thënë se “shpresoj që të zgjidhen këto probleme.”

“Me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, por kemi disa mosmarrëveshje që lidhen me tregtinë, për tregun dhe shpresoj që do t’i zgjedhim”.

Po ashtu edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, ka thënë se bizneset e Kosovës po përballen me shumë barriera gjatë eksportit të tyre në vendet e CEFTA-së, për arsye politike.

Ai ka thënë se barrierat e bizneseve të Kosovës rrallë herë janë raportuar, por sipas tij, janë evidente dhe pikërisht këto barriera janë arsyet themelore për bilancin tregtar që ka Kosova aktualisht.

Kreu i MTI-së u ka bërë thirrje bizneseve nga Shqipëria që t’i raportojnë barrierat me të cilat përballen, pasi sipas tij qëndrim i Kosovës është të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura dhe të hapen tregjet për produkt shqiptare.

Shala ka thënë se  kërkon të njëjtin trajtim edhe për prodhuesit e Kosovës që eksportojnë në Shqipëri.

“Kërkoj të njëjtin trajtim edhe për prodhuesit tanë që eksportojnë në Shqipëri. Prodhimet tona andej dhe këndej nuk duhet të trajtohen nga qeveritë tona ndryshe, ato duhet të trajtohen pa dallim, si prodhime shqiptare”.

Shumë barriera

Edhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës përmes një reagimi i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për heqjen e të gjitha barrierave tregtare që prodhuesit e Kosovës po hasin gjatë eksportit të produkteve të tyre në tregun shqiptar.

“Për prodhuesit e Kosovës është e papranueshme që pengesat të tilla të jenë ende të zbatueshme për ta, edhe përkundër faktit që është e disata herë që këto kërkesa janë adresuar tek qeveria shqiptare për heqjen e barrierave dhe unifikimin e tregut kombëtarë shqiptarë. Por përveç premtimeve dhe fjalëve shpresë dhënëse, deri më sot nuk ka pasur asnjë përpjekje për largimin e këtyre barrierave”, thuhet në reagim.

Klubi i Prodhuesve thekson tutje se barrierat kryesore për prodhuesit kosovar po hasin gjatë eksportit në tregun e Shqipërisë janë barriera tarifore dhe jo-tarifore, ku në çdo eksport, autoritetet shqiptare kërkojnë Certifikatën e Cilësisë për produktet që i nënshtrohen kontrollit fitosanitar dhe veterinar.

“Është absurde për prodhuesit kosovarë që në shkëmbimet e tyre tregtare, Shqipëria të jetë e dyta, pas Serbisë,  sa i përket barrierave me të cilat ata përballën. Prandaj, Klubi i Prodhuesve të Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Shqipërisë që sa më parë të bëjë shqyrtimin e të gjitha kërkesave të prodhuesve kosovarë, dhe të bëjë largimin e barrierave të cilat vetëm sa i dëmtojnë rëndë përpjekjet për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, të cilat jo rrallë herë janë cekur si interes strategjik i të dy qeverive”.

Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, në një deklarim për media ka folur për barrierat në mes Kosovës dhe Shqipërisë, efektet e taksës 100 për qind, si dhe për vështirësitë e bizneseve në Kosovën.

Rukiqi ka thënë se nuk ka vullnet për t’i rritur shkëmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri pavarësisht kapaciteteve. Madje shuma e shkëmbimeve tregtare sipas tij, është sikur të ishin e dy kompanive, e jo e shteteve.

“Në vend që ne të diskutojmë për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri, po diskutojmë për barriera. 10 vite të raporteve ndërshtetërore duke ditur që Kosova e ka shpallur Pavarësinë më 2008, si raporte ndërshtetërore 10 vite apo një dekadë e këtyre raporteve në kuptimin ekonomik e në aspektin e bashkëpunimit tregtar dhe të investimeve është dekadë e barrierave”.

Ai i ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës për mos angazhim për t’i zgjedhur pengesat për bizneset që duan të eksportojnë në Shqipëri.

Shqipëria dhe Maqedonia rreth 15 për qind

Kurse, Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), nga data 15 prill e deri 15 maj 2019 ka realizuar një studim hulumtues në 250 kompani të zgjedhura në industrinë ushqimore tregtare, shërbyese dhe të ndërtimtarisë me 250 konsumatorë të Kosovës për të arritur deri në një rezultat se në çfarë mase kanë ndikuar vendimet e taksës 100 për qind për produktet ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Kryetar i AKB-së, Agim Shahini, tha se Kosova nga taksa ka përfituar shumë si në aspektin ekonomik, diplomatik, politik dhe negociues.

“AKB e vlerëson taksen 100 për qind si betejë ekonomike politike dhe diplomatike kundër Serbisë. Taksa ndaloj hovin e negocimit për ndarjes apo korrigjim të kufijve të Kosovës dhe kjo u vërtetua në samitin e Berlinit. Periudha gjashtë mujore nga vendosja e taksës ka rezultuar që Serbia humbi rreth 300 milionë euro sipas deklarimeve të institucioneve Serbe, por sipas deklarimeve nga Dogana e Kosovës që krahasojnë një vit më herët me këtë gjashtë mujor Serbia ka humbur mbi 230 milionë euro”, tha Shahini.

Ai ka treguar se furnizimet janë orientuar nga tregjet e BE-së me rreth 40 për qind , Shqipëria dhe Maqedonia rreth 15 për qind, si dhe pjesa tjetër nga Turqia, Azia dhe vendet tjera.

“Çmimet kryesisht janë rrit në shërbimet e transportit mbi 35 për qind, ato të produkteve lukse mbi 20 për qind, ndërsa ndërtimtaria rreth 15 për qind por edhe produktet tjera siç janë: lënda e pare dhe paketimi. Ky studim na tregon se Çmimet e përgjithshme në Kosovë janë rrit mbi 3 për qind në krahasim me gjashtë mujorin e kaluar, kurse arsyet e rritjes së çmimeve janë tregjet globale mbi 55 për qind kurse pjesa tjetër nga rritja e kërkesës për produkte dhe efekti i taksës”.

Marrëdhëniet tregtare ndërmjet Shqipërisë Kosovës kanë evoluar ngadalë, por përfituese ka qenë më së shumti Shqipëria.

Eksportet drejt Kosovës kanë shënuar një rritje të fortë në pjesën e parë të këtij viti, sidomos gjatë muajit prill, të nxitura nga dy grupe, ai i mineraleve e lëndëve djegëse (kryesisht naftës) dhe materiale ndërtimi e metale, të cilat së bashku zunë 74% të eksporteve drejt këtij shteti për janar-prill 2019.

Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën janar-prill janë shitur në vendin fqinjë mallra me vlerë 8.9 miliardë lekë, me një rritje prej 52% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kosova renditet në këtë mënyrë në destinacionin e dytë të eksporteve, pas Italisë, me 9% të totalit, nga 5.8% që ishte kjo peshë në katërmujorin e parë të vitit të kaluar.

Rritja më e madhe ishte në muajin prill, kur eksportet kërcyen me 70%. Efektin kryesor në këtë rritje e ka pasur grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji”, që janë katërfishuar për 4 mujorin, duke arritur në 2.3 miliardë lekë. Ky grup ka zënë 26% të totalit të eksporteve. Rritja e tij lidhet me rifillimin e aktivitetit të rafinerisë ARMO, e cila një pjesë të naftës së përpunuar e çon në Kosovë. ARMO ka rritur prodhimin në vend në muajt e parë të këtij viti, teksa ka marrë më shumë naftë të papërpunuar nga BankersPetroleum dhe ky i fundit ka ulur eksportet drejt shteteve të tjera.

Grupi më i madh eksportues është “materiale ndërtimi dhe metale”, kryesisht metalet. Eksportuesi më i madh është Kurum, që e ka Kosovën një nga destinacionet kryesore të eksporteve të veta.

Për 4 mujorin, eksportet e materiale ndërtimi dhe metale ishin 4.1 miliardë lekë, me rritje 18% me bazë vjetore. Ky grup zë peshën më të madhe, me 46% të totalit të eksporteve drejt Kosovës.

Shqipëria nuk duket të ketë përfituar shumë nga vendosja e taksës 100% që Kosova i vuri mallrave serbe, pasi rritja e këtyre dy grupeve është ndikuar më shumë nga faktorë të brendshëm, si psh rifillimi i punës së ARMO.

Gjithsesi dhe produktet e tjera kanë shënuar rritje, ndonëse nisur nga një bazë e vogël. Eksportet e ushqimeve e pijeve, ndonëse janë rritur me 38%, duke përbërë rreth 10% të totalit. Produktet kimike dhe plastike u rritën me 60% për katër mujorin, duke zënë 6.2% të totalit. /Monitor/