Ministri që do të negociojë për Telekomin dikur punonte në Z-Mobile

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka qenë shumë i zëshëm sa i përket privatizimit të Telekomit. Madje, sipas tij, kjo do të ishte zgjidhja e vetme për këtë ndërmarrje. Lluka pati përmendur edhe borxhin ndaj Z-Mobile duke u deklaruar se nëse nuk do të paguhej, kompania do të falimentonte. Ministri i Zhvillimit Ekonomik kishte qenë udhëheqës i marketingut në Z-Mobile, në kompaninë që brenda kësaj jave mund të lërë shumë kosovarë pa punë, raporton Gazeta Express.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka parë privatizimin e Telekomit si zgjidhje të vetme, e për këtë temë madje ka qenë shumë i zëshëm.

Duke thënë se me këtë, Kosova do të mbetej prapë aksionare, Lluka thoshte se ato aksione do të kishin vlerë më shumë se sa që ka Telekomi momentalisht.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, as borxhi ndaj Z-Mobile nuk ka kapacitete që të kryejë, e duhet të gjendej një formë e re për ta bërë këtë.

Lluka ishte si udhëheqës i marketingut për disa vite në kompaninë e Z-Mobile të udhëhequr nga Devollët, që mund ta çojë në falimentim brenda javës Telekomin. Madje, ai kishte paralajmëruar disa herë që Telekomi mund të përfundojë te përmbaruesit.

“Të gjitha këto kontrata me përfundu te përmbaruesi e rrezikon operimin e tërësishëm të Telekomit prandaj për këtë arsye Telekomi është në buzë të falimentimit”, pati deklaruar Lluka.

Z-Mobile përmes një letre zyrtare i ka kërkuar kryeshefit ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefi, që në një afat brenda dy javësh të kryhet borxhi prej 25 milionë e 900 mijë eurove.

Data e dërgesës së kësaj letre shënon 26 prill 2019, që i bie se Telekomit i ka mbetur edhe një javë kohë që ta paguajë këtë borxh.

E në të kundërtën në letrën thuhet se Z-mobile do të fillojë procedurat e përmbarimit.