Për tre muaj Qeveria shpenzoi afro 2 milionë euro nga Fondi i rezervës shtetërore

Afro dy milionë euro nga Fondi i rezervave shtetërore janë shpenzuar vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Për 18 vendime të nxjerra nga Qeveria e Kosovës ,për mbështetje financiare kryesisht për manifestime dhe organizime të tjera, është shpenzuar 40 për qind e buxhetit të ndarë për Fondin e rezervës, i cili ka shumën e përgjithshme prej 4.8 milionë eurosh.

Bazuar në Raportin tremujor të shpenzimeve të hartuar nga Ministria e Financave, përveç 500 mijë eurove që Qeveria kishte ndarë për realizimin e aktiviteteve për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ajo kishte marrë vendim që 300 mijë euro të tjera nga Fondi i rezervës të ndahen për Delegacionin Shtetëror në procesin e dialogut me Serbinë. Ky vendim ishte marrë në fund të vitit të kaluar, por që shpenzimet janë tërhequr këtë vit, shkruan sot Koha Ditore.

Reklama e sponzorizuar

Më 26 shkurt të këtij viti, Qeveria kishte marrë vendim që t’i ndante 112 mijë euro për rregullimin e Parkut të Paqes në Komunën e Preshevës, mjete këto që i ka tërhequr nga Fondi i rezervës.

Për kompensimin e shtesave dhe stimulimin financiar për vitin 2019 për prokurorët specialë, Qeveria më 26 shkurt kishte marrë vendim që t’i ndante 171 mijë e 864 euro. Të njëjtën ditë kabineti qeveritar kishte vendosur që të ndante 25 mijë e 170 euro për manifestimin e “Epopesë së Dukagjinit”, 115 mijë e 740 euro për punën e Komisionit Shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, si dhe 5 mijë euro për shoqatat e familjeve të personave të zhdukur për përkrahjen e funksionimit të tyre.