Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se shteti nuk di të menaxhojë asetet që transformohen shpejt, derisa ka theksuar se tashmë është shumë vonë për PTK-në.
“Vonë, shumë vonë për PTK-në. Shteti nuk dinë të menaxhojë asete që transformohen shpejt. 2008-2012, vazhdimisht për 4 vite me radhë, kokat racionale dhe jo-populliste, kanë argumentuar fuqishëm për privatizimin e Telekomit. E mbaj mend edhe angazhimin e ish- sekretares së Shtetit, znj. Clinton, e cila gjatë njërës nga vizitat zyrtare në Kosovë, bënte përpjekje për të bindur skenën politike për të kaluar strategjinë për privatizimin e PTK-së”, ka shkruar Rukiqi.
Sipas tij krejt kjo periudhë kohore ishte momentum fantastik për privatizim.
“Zhvillimet në tregjet e Telekomit ishin në trend pozitiv, gati në kulmin e vet. Ishte edhe momenti i fundit, marrë parasysh ‘digital disruption’, nëpër të cilin po kalonte industria e Telekomit. Por, fatkeqësisht ka pas mobilizime të papara që privatizimi të mos ndodhte, mobilizime që janë përcjellë edhe me rënie të qeverive, në një kohë kur politikanët shfrytëzonin sentimentin e punëtoreve dhe qytetarëve në përgjithësi, për të fituar disa vota më shumë”, ka shkruar ai.
Rukiqi tutje shton se shteti, as dje , as sot, as nesër nuk dinë të menaxhojë, sidomos asete që janë në transformim të shpejtë.
“Vetëm krahasojeni me Ipkon, një kompani me status të kompanisë private në Kosovë. Përderisa kalohet nga një brez i teknologjisë në brezin tjetër, partitë politike tek ne ende janë duke premtuar një ujësjellës, një gropë septike ose maksimalisht ndonjë autobus për ndonjë lagje ose qytet. Janë vonë me trendin, janë vonë me momentumin, janë vonë me zhvillimet në tregje, siç janë edhe vonë me iniciativat për shpëtim të Telekomit”, thotë Rukiqi.
tij maksimumi që mund të bëhet është përkrahja e një menaxhmenti profesional emergjent për arritjen e tri objektivave: Rishikim funksional, ristrukturim përmbajtësor dhe përgatitja e një procesi transparent dhe konkurrues për të shitur krejt atë çka ka mbetur – “në terma më praktik, i bie sikur me e la veturën para se me e shitë. Edhe nëse lahet, motori nuk mund të ndryshohet”.