Disa organizata të shoqërisë civile, Balkan Green Foundation (BGF), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të ndalojë çfarëdo procedure prokurimi dhe aktiviteti që shton kosto të projektit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” deri në miratimin e garancisë në Kuvendin e Kosovës.
Organizatat në fjalë thonë se këto shpenzime, që ata i quajnë “të ngutshme”, “në një kohë kur i gjithë projekti kontrovers është në udhëkryq, janë të panevojshme, të dëmshme dhe të dyshimta”.
“Përveç krijimit të panevojshëm e joligjor të Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës (NKEC), MZHE sapo ka hapur tenderin për ‘Shërbimet konsulente në formë të Inxhinierit të Pavarur të Qeverisë dhe Konsulentit të Pavarur Mjedisor dhe Social për TC Kosova e Re’ në vlerë prej 4 milionë eurosh. Ky njoftim për kontratë në vlerë prej 4 milionë euro është skandaloz dhe në shpërputhje me realitetin e një projekti që është në pikëpyetje të madhe. Me këtë, ende pa qenë e qartë e ardhmja e projektit, Kosova po hyn në obligime financiare që shkaktojnë humbje dhe potencialisht edhe arbitrazhe me kosto të larta”, deklarojnë këto organizata në një komunikatë dërguar mediave, raporton Koha.net.
Krijimi i shpenzimeve në një kohë kur garancia për projektin është e domosdoshme të votohet në Kuvendin e Kosovës përbën, ndër të tjera, sipas këtyre organizatave, edhe shpërfillje të autoritetit të Kuvendit.
Ngjashëm me këtë, organizatat në fjalë thonë se Qeveria nxitoi të themelonte Ndërmarrjen e Re Energjetike të Kosovës (NKEC) e cila praktikisht do të paguajë rroga e nuk do të kryejë asnjë punë deri në vitin 2023.
“Ngjashëm me këtë, ky njoftim për kontratë përbuz autoritetin e Kuvendit i cili do të japë fjalën e fundit për kontratën më të dëmshme që nga paslufta, kontratën për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’”, deklarojnë organizatat e shoqërisë civile.
Balkan Green Foundation (BGF), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) thonë se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë të drejtë të krijojë shpenzime për qytetarët e Kosovës për një projekt që dita ditës po refuzohet nga qytetarët, nga institucionet më kredibile ndërkombëtare, nga partitë politike dhe shoqëria civile.
“4 milionët e kësaj kontrate janë vetëm një pjesë e kostove të mëdha në formë të garancive që buxheti ynë do t’i mbulojë nëse jetësohet kontrata për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’. Po të ishin prioritet çështjet mjedisore dhe sociale që ky konsulent milionësh do t’i mbulojë, Qeveria do të hartonte një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis kredibil dhe duke u bazuar në ligj. I njëjti do të duhej të ishte publik dhe të shihej qartësisht se përse ka nevojë për një konsulent shtesë. Se përse ka nevojë të paguhen 4 milion euro shtesë?”, theksojnë organizatat e lartcekura.
Ato u kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të tërhiqet menjëherë nga kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” dhe të mos shtojë barrën financiare të saj.
“I bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës që duke shfrytëzuar mekanizmat e mbikëqyrjes parlamentare, të ndërmarrë masa për të ndaluar rritjen e kostove të implementimit të kontratës deri sa e njëjta të votohet në seancë plenare. Në të kundërtën, çdo ditë e më shumë qytetarët po paguajnë koston për një kontratë dhe projekt për të cilin asnjëherë nuk u pyetën”, përfundon komunikata e Balkan Green Foundation (BGF), Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Institutit GAP dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).