Në indeksin e çmimeve të prodhimeve dhe çmimet në bujqësi për tremujorin e parë të këtij vit, thuhet se çmimet e prodhimeve blegtorale kanë shënuar rritje për 3.31 përqind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 17.57 përqind.
Në raportin e publikuar sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 6.37 përqind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.
“Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen. Prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë”, thuhet në raport.