Pak udhëtarë po e shfrytëzojnë linjën e autobusit Prishtinë-aeroport dhe anasjelltas, një javë pasi ajo u lëshua në qarkullim për herë të parë.
Mesatarja për një relacion është vetëm tre udhëtarë, raporton KTV.
Të shtunën, autobusi i orës 11, ka bërë rrugën nga Stacioni i Autobusëve deri në aeroport, pa asnjë udhëtar.
Ndërsa, nga aeroporti kanë udhëtuar disa persona.
“Nisjet e mëngjesit nga ora 03:00 pothuajse janë nisje pa udhëtarë por që gjatë ditës fillojnë me shumë ta përdorin autobusin e Linjës së Aeroportit. Mesatarja e llogaritur për një relacion (një shkuarje, ose një ardhje) deri më tani është vetëm 3 udhëtarë”, ka thënë kryeshefi i “Trafikut Urban”, Lulzim Rexhepaj.
Sipas statistikave të kësaj ndërmarrjeje, në dhjetë ditët e para janë shitur 1 mijë e 400 bileta.
75 për qind e biletave kanë qenë një euroshe për punëtorët e aeroportit, ndërsa vetëm 25 për qind me çmim 3 euro për udhëtarët e zakonshëm.
Një pjesë e madhe e mërgimtarëve që vijnë në vendlindje priten nga familjarët dhe nuk përdorin taksinë apo autobusin. Megjithatë, mirëpresin linjën e transportit publik.
Ndërmarrja ka shtuar vendndalesat e autobusit.
Tani e tutje, autobusi do të marrë udhëtarë edhe te rrethrrotullimi në Fushë-Kosovë dhe ai në Sllatinë.
Ndërsa, gjatë kthimit nga aeroporti, ai do të shpërndajë udhëtarët deri në qendër të kryeqytetit.