Ka më shumë se katër muaj që kur 15 fshatra në komunën e udhëhequr nga Bekim Jashari, Skënderaj, po ballafaqohen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike. Krejt kjo si pasojë e një investimi që KEDS po e bën në atë zonë tash e sa kohë. Banorët po ankohen se në kushte të dobëta atmosferike po mbesin pa rrymë. Ndërkohë që nga KEDS po arsyetohen se në atë zonë janë duke bërë investime të reja andaj po ka reduktime.
Fshatrat e Komunës së Skenderajt po përballen me problemin e furnizimit me energji elektrike tash e sa kohë.
Banorët e Bashkësisë e Lokale e Runikut së bashku me disa fshatra të tjera, po ballafaqohen me reduktime të ashpra që nga fillimi i këtij viti.
Burime për Gazetën Express kanë bërë të ditur se që nga fillimi i vitit, pothuajse çdo të dytën ditë ka mungesë të energjisë elektrike me arsyetimin se diçka po punohet. Gjithsej 15 fshatra në Komunën e Skenderajt nuk kanë rrymë prej orës 10 deri në 14, kjo ndodhë 3 apo 4 herë në javë.
E këtë po e mohon Viktor Buzhala – zëdhënës i KEDS’it i cili po thotë se konsumatorët kanë energji elektrike. Dhe mungesën e energjisë elektrike Buzhala po e arsyeton me investimin që ka bërë KEDS’i në zonat e Runikut.
“Konsumatorët kanë energji elektrike. Dje ka qenë ndalesë e planifikuar për shkak të punimeve. KEDS ka bërë një investim të fuqishëm në Runik dhe fshatrat për rreth deri në Skënderaj. Përveç kilometrave me linja të reja të tensionit të mesëm, janë vendosur edhe mbi 20 trafo të reja, gjë që rritë kualitetin e shërbimeve dhe sigurinë e furnizimit për mijëra konsumatorë të asaj pjese. Si pasojë e funksionalizimit të këtij investimi ne jemi të detyruar të bëjmë ndalesa të kohëpaskohshme, pasi është e pamundur të punohet nën tension. Ne i sigurojmë konsumatorët që po e bëjmë për të mirën e tyre dhe efektet pozitive tashmë kanë filluar të ndihen” ka thënë Buzhala për Gazetën Express.
Ndërsa kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen nëse është në dijeni për gjendjen e fshatrave të komunës që udhëheqë.