Themelorja nuk pranon t’i hetojë aferat e korrupsionit në Telekom

Prokuroria Themelore në Prishtinë ia ka kthyer Prokurorisë Speciale rastin e hetimit të aferave të korrupsionit në Postë-Telekomin e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar të mërkurën kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka. Në një deklaratë të shkurtër ai ka thënë se ai rast nuk është për t’u hetuar nga Themelorja, shkruan sot Koha Ditore.

Reklama e sponzorizuar

“E kemi kthyer rastin në Prokurorinë Speciale, sepse kemi vlerësuar se ata janë kompetentë për ta hetuar e jo ne”, ka thënë ai.

Beka ka thënë të mos e di nëse Specialja do ta pranojë hetimin e këtij rasti, pas refuzimit që ia kishte bërë një herë dhe transferimit te Themelorja.

Gazeta është informuar se, edhe pse lënda i është kthyer kësaj prokurorie, ende asnjë veprim hetimor nuk është ndërmarrë në këtë rast. Për të marrë qëndrimin zyrtar është kontaktuar ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit special, Afrim Shefkiu, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve.