Z Mobile: Me Telekomin kërkojmë bashkëpunim, jo lëndim të ndonjërës palë

Përmes një reagimi për media, Z Mobile ka ripërsëritur qëndrimin se kjo kompani është e detyruar që të thirret në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për borxhin që ia ka Telekomi.

Ka thënë se këtë është e detyruar ta bëjë, përkundër vullnetit të saj.

“Telekomi dhe Z Mobile gjatë gjithë kësaj kohe kanë zhvilluar takime me qëllim të kërkimit të zgjidhjes miqësore, me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit. Ne gjithmonë jemi deklaruar se nuk kemi interes që Telekomi të ketë vështirësi. Për këtë qëllim kemi iniciuar biseda për zgjidhen e një modusi, i cili ruan të dyja palët dhe paraqet një zgjidhje të qëndrueshme përpara”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Z Mobile, edhe në periudhën në vazhdim dhe deri më sot kanë hasur në mospërmbushje të kushteve të marrëveshjes.

“Së fundi, edhe kërcënimet se kontrata nuk do të zbatohet njëanshëm nga Telekomi i Kosovës, të gjitha këto të raportuara edhe nëpër media. Në këtë situatë neve nuk na është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në periudhën në vazhdim Telekomi do t’i respektojë detyrimet e veta, të ripotencuara qartë edhe në vendimin e Arbitazhit, kështu që jemi detyruar të thirremi në vendimin e njëjtë të ICC-së për ekzekutim të kompensimit të humbjeve të shkaktuara shkaku i neglizhencës së njërës palë kontraktuale, Telekomit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Derisa është kthyer në retrospektivë, Z Mobile thotë se gjatë gjithë kohës kanë shpresuar se mosrespektimin e kontratës me Telekomin e Kosovës do ta zgjidhnin bashkë, me mirëkuptim të drejtpërdrejtë.

“Asnjëherë nuk e kemi dëshiruar që për këtë kontest të detyrohemi të kërkojmë drejtësi pranë Tribunalit të Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), ose duke u thirrur në vendimin e këtij arbitrazhi, i cili, pas procedurës që ka zgjatur prej 2 vitesh, kishte konstatuar shkelje të detyrimeve kontraktuese nga ana e Telekomit të Kosovës. Siç është informuar rregullisht edhe opinioni publik, ne kishim shteruar të gjitha përpjekjet që të arrijmë me mirëkuptim dhe shpirt bashkëpunimi profesional respektimin e kontratës me partnerin tonë, Telekomin e Kosovës. Duke parë se bisedimet e atëhershme nuk sillnin asnjë zgjidhje, kurse humbjet e kompanisë rriteshin me secilën ditë që ka kaluar, ne ishim detyruar me keqardhje dhe pa vullnetin tonë t’i drejtohemi drejtësisë”, thuhet në reagim.

Njoftimit tregon tutje se rasti ishte shqyrtuar nga Tribunali i përberë nga gjyqtarë liderë në Bashkimin Evropian dhe ka zgjatur për dy vite, në të cilin janë dëgjuar ekspertë të mirënjohur të fushës së teknologjisë së telekomunikacionit, financiarë dhe ligjorë.

“Ne para kolegjit të arbitrazhit kemi ofruar faktet e njëjta të cilat në fakt gjatë gjithë kohës ia kemi prezantuar edhe përfaqësuesve të Telekomit të Kosovës. Të kujtojmë se vendimi për shkelje të kontratës, i vërtetuar nga ICC-ja, konsiston në katër pika themelore, për të cilat arbitrat ndërkombëtarë kanë gjetur shkeljet nga Telekomi i Kosovës: Mosfurnizimi me SIM Kartela; Mosfurnizimi me numra; Mosofrimi i shërbimeve 3G dhe 4G; si dhe Ulja e cilësisë së shërbimeve”, thuhet në reagim. “Mos ofrimi i këtyre shërbimeve të parapara me kontratë e ka bërë të pamundur funksionimin normal të një kompanie që ofron shërbime të telekomunikacionit. Ne, përgjatë gjithë këtyre viteve të vështira, me humbje tepër të mëdha, kemi bërë përpjekje maksimale që të mos e mbyllim kompaninë dhe t’i mbajmë të punësuarit në punë. Ne shpresonim që vendimi i ICC-së, do ta rikthente normalitetin në marrëdhëniet ndërmjet dy kompanive”, thuhet më tej aty.