Auditori i Përgjithshëm ka gjetur një rast të rëndë të keqmenaxhimit të parasë publike në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Një zyrtar i lartë i kësaj ministrie kishte vazhduar ta marrë pagën anipse për tre muaj kishte munguar në vendin e punës pa asnjë arsye, përcjell Buletini Ekonomik.
Në raportin e Auditorit nuk specifikohet se për cilin zyrtar bëhet fjalë, vetëm thuhet se i njëjti është Udhëheqës i Divizionit për Politika dhe Planifikim.
“MKK kishte në funksion Sistemin e Menaxhimit të Vijueshmërisë së Punës (SMVP). Pas rishikimeve tona, ne kemi vërejtur se gjatë vitit 2018 një (1) zyrtarë2 nuk kishte respektuar orarin e punës sepse për tre muaj brenda vitit kishte munguar pa arsye. Pagesa për periudhën tremujore ishte 1,759 euro”, ka vlerësuar Auditori në raportin për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, të 2018-s.
Ky rast sipas Auditorit paraqet shkelje të rregullorëve të kësaj ministrie. Rregullorja Nr. 05/2010 e Orarit të Punës në shërbimin civil, neni 7 pika 1 përcakton se ”gjatë orarit të punës të gjithë nëpunësit civil janë të obliguar të jenë në vendin e punës. Çdo nëpunës civil shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik” dhe pika 2 thekson se “mospërfillja e orarit të punës paraqet shkelje disiplinore.
“Vlen të theksohet se drejtori i departamentit edhe pse kishte shqiptuar vërejtje me shkrim ndaj punëtorit për mosrespektim të orarit, nuk kishte ndërmarr ndonjë masë disiplinore. Kjo kishte ndodhur pasi që menaxhmenti i ministrisë nuk e kishte trajtuar me seriozitet mungesën në punë të punëtorit duke e mbajtur përgjegjës atë në respektimin e orarit të punës sipas kërkesave ligjore”, thuhet tutje në raportin e Auditorit për këtë rast. /Buletini Ekonomik/