Gjinolli: Kosova ka potencial të mirë solar

Në Kosovë tashmë kemi 2 projekte të realizuara me sukses me energji nga era dhe ato kanë dëshmuar që edhe ky burim energjetik mund të jetë rentabil nëse përzgjidhet lokacioni i duhur, e nëse bëhen siç duhet matjet e shpejtësisë së erës, thotë Pëllumb Gjinolli, njohës i zhvillimeve të energjisë së rinovueshme në intervistën për Buletinin Ekonomik. Sipas tij, në Kosovë janë të identifikuara disa lokacione me potencial të mjaftueshëm, për të ndërtuar kapacitete të reja energjetike në bazë të erës. Pokështu, ka të dhëna dhjetëra-vjeçare sa i përket radiacionit solar, që flasin edhe për mundësi të ndërtimit të kapaciteteve në bazë të diellit, vlerëson Gjinolli.

Mehmet GJATA

Pëllumb Gjinolli, një ambientalist i kualifikuar dhe i përkushtuar dhe njohës i zhvillimeve të energjisë së rinovueshme, në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik, ka thënë se Kosova ka potencial të mirë solar dhe për këtë nuk ka nevojë për shumë analiza, sepse ka të dhëna dhjetëra-vjeçare sa i përket radiacionit solar.

Në Kosovë, deri më tani, kemi 2 projekte të realizuara me sukses me energji nga era, të cilat kanë dëshmuar që edhe ky lloj burimi mund të jetë rentabil nëse përzgjidhet lokacioni i duhur dhe nëse bëhen matjet e shpejtësisë së erës (minimum 1 vjeçare). Sipas atlasit të potencialit të energjisë së erës, shihen disa lokacione me potencial të mjaftueshëm, për të ndihmuar Kosovën drejt këtij rrugëtimi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Gjinollit, energjia solare është një trend në rritje, dhe është normale që edhe në Kosovë të ketë interesim në rritje, pasi që duke pasur parasysh pozicionimin e Kosovës dhe radaiacionin solar që ka, del të jetë investim me kthim të lartë të investimit. Zyrja e Rregullatorit për Energji në Kosovë ka miratuar rregulla që ua mundësojnë qytetarëve të instalojnë energjinë solare në çatitë e tyre, ku energjinë e tepërt mund ta fusin edhe në rrjetin energjetik vendor, ndërsa kur kanë mungesë nga energjia solare, të marrin prapë nga rrjeti.

Intervistën e plotë të Buletinit Ekonomik me Pëllumb Gjinollin, mund ta lexoni në vijim:

Buletini Ekonomik: Kosova më në fund do të nisë së ndërtuari një impiant solar, i cili do ta shfrytëzojë energjinë nga dielli për ngrohje qendrore. Të martën (më 20 dhjetor 2022), është bërë nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e këtij projekti solar ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Financave të Kosovës dhe përfaqësuesve nga BE, Qeveria gjermane dhe BERZH-i, që si marrëveshje është nismëtare e shfrytëzimit të diellit për nevojat energjetike të Republikës dhe kap vlerën mbi 80 milionë euro. Sipas jush, a është vonuar Kosova në ndërtimin e më shumë kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme dhe ku qëndron shkaku që gjendemi në fund të listës, edhe të shteteve në rajon, sa i përket energjisë së pastër?

Pëllumb Gjinolli: Kosova nuk është vonuar në investime për burime të ripërtëritshme, pasi që e gjithë pakoja ligjore që e mundëson një gjë tillë ka qenë aty, por janë projekte që kërkojnë kohë më të gjatë për përgatitje teknike (studim fizibiliteti, mbledhje të të dhënave etj), por duhen domosdo edhe mundësitë financiare (sigurimi i financimit për projekte të tilla mund të zgjasë deri në 1 vit). Besoj që tash me iniciativat e reja, siç janë ankandet që gjithashtu parashihen edhe me Strategjinë e re të Energjisë, do të ketë një “boom” në investime të tilla.

Buletini Ekonomik: Kosova ka nevoja gjithnjë e në rritje për energji elektrike, ka konsum të shtuar sidomos gjatë dimrit dhe pikut. Në anën tjetër, ka shumë restriksione nga bota, nga shtetet e fuqishme financiare dhe nga institucionet monetare ndërkombëtare, për ta stopuar qymyrin dhe karbonin. Ku duhet të fokusohet urgjentisht Kosova e varfër, te ndërtimi i kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, te energjia në bazë të erës apo te ajo solare? Ku janë mundësitë më të mëdha, sipas jush?

Pëllumb Gjinolli: Si çdo shtet tjetër edhe Kosova ka nevojë shtesë për energji elektrike sidomos gjatë dimrit, duke pasur parasysh që konsumi rritet në këtë kohë, për arsye që në mungesë të alternativave për ngrohje, qytetarët përdorin energjinë elektrike. Një mënyrë efikase e adresimit të kësaj çështjeje do të ishte zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qëndrore në ato qytete ku është teknikisht e mundur dhe ka fizibilitet ekonomik, dhe Ministria e Ekonomisë me ndihmën e donatorëve është duke bërë studimin e fizibilitetit për mundësitë e ngrohtoreve të qytetit sidomos në 7 komunat, respektivisht në qytetet më të mëdha të vendit. Një opsion tjetër është tek fokusimi i energjisë së ripërtëritshme dhe të rriten dukshëm këto kapacitete, gjithashtu shohim një inciativë në këtë drejtim nga Qeveria, pasi që Strategjia e re e Energjisë parasheh kapacitet prej më shumë se 1500 MW kryesisht në energji solare dhe të erës në periudhën e ardhshme dhjetë-vjeçare.

Buletini Ekonomik: A ka resurse serioze dhe premtuese Kosova për të ndërtuar kapacitete prodhuese serioze të energjisë së rinovueshme? Në këtë kontekst, ju personalisht çfarë mendimi keni, kah duhet të përcaktohet Kosova në ndërtimin me përparësi të energjisë së ripërtëritshme, kah energjia në bazë të erës, apo në bazë të diellit, kur dihet për mungesën e theksueshme të ujërave në Kosovë, që për pasojë ka pamundësinë për të ngritur një hidrokapacitetet të efektshëm prodhues elektroenergjetik? Thjesht, ku, sipas jush ka më shumë potencial, te energjia në bazë të erës, apo te ajo solare?

Pëllumb Gjinolli: Siç e ceka edhe më lartë, Kosova tashmë ka përcaktuar drejtimin, dhe ky duket të jetë rrugëtimi drejt tanzicionit energjetik, ku si burime kryesore parashihen energjia solare dhe ajo e erës. Kosova ka potencial të mirë solar dhe për këtë nuk ka nevojë për shumë analiza, sepse ka të dhëna dhjetëra-vjeçare sa i përket radiacionit solar. Në anën tjetër, në Kosovë deri tash kemi 2 projekte të realizuara me sukses me energji nga era, dhe ato kanë dëshmuar që edhe ky lloj burimi mund të jetë rentabil nëse përzgjidhet lokacioni i duhur, e nëse bëhen matjet e shpejtësisë së erës (minimum 1 vjeçare). Sipas atlasit të potencialit të energjisë së erës, shihen disa lokacione me potencial të mjaftueshëm për të ndihmuar Kosovën drejt këtij rrugëtimi.

Buletini Ekonomik: Si e vlerësoni ju interesimin e kosovarëve për të pasur energji nga dielli, dhe cilat janë konditat e përgjithshme aktuale për të instaluar më shumë panele solare në vendin tonë?

Pëllumb Gjinolli: Energjia solare është një trend në rritje dhe është normale që edhe në Kosovë të ketë interesim në rritje, pasi që duke pasur parasysh pozicionimin e Kosovës dhe radiacionin solar që ka, del të jetë investim me kthim të lartë të investimit. Zyrja e Rregullatorit për Energji ka miratuar rregulla që ja mundësojnë qytetarëve të instalojnë energjinë solare në çatitë e tyre, ku energjinë e tepërt mund ta fusin në rrjet, ndërsa kur kanë mungesë nga energjia solare, të marrin prapë nga rrjeti.

Buletini Ekonomik: Në këtë kontekst, ku mendoni se janë shkaqet reale që Kosova nuk ka më shumë panele solare të kapaciteteve prej më të voglave deri te ato më të mëdha? Në këtë “varfëri” të kapaciteteve të energjisë solare, a ka ndikuar gjendja financiare e kosovarëve shumicë, përkatësisht teknologjia e shtrenjtë, apo procedurat e komplikuara administrative për t’u pajisur me leje përkatëse, apo edhe mungesa e kulturës dhe edukimit më të gjerë për domosdonë për të pasur energji të pastër edhe Kosova?

Pëllumb Gjinolli: Patjetër që kjo lloj energjie për momentin mund të konsiderohet “luks” për shkak të kostove dhe se në rastet e shtëpive, pa ndonjë grant nuk mund të jetë edhe aq atraktive, por që një gjë është e sigurtë, që bizneset sidomos, dhe konsumatorët e mëdhenj kanë shprehur shumë interesim dhe se kthimi në investim me çmimet aktuale, përafërsisht parashihet të jetë 5-6 vjet.

Buletini Ekonomik: A ka Kosova mjaftueshëm kuadro (punëtorë) të specializuar për të gjitha punët, edhe ato teknike, për instalimin dhe mirëmbajtjen eventuale të stabilimenteve të kapaciteteve, qoftë nga era, qoftë nga panelet solare? A është menduar në nivel institucionesh për të pasur këtë kuadër, apo i është lënë ‘stihisë’ sikur në shumë sektorë të tjerë?

Pëllumb Gjinolli: Ky sektor është në zhvillim e sipër që nga viti 2010 dhe tashmë ka kuadro dhe mbi 10 kompani lokale që janë të pajisura me njohuritë më të fundit për të bërë instalime të tilla. Por, për instalime të mëdha (dhjetëra megavatësh), tani për tani Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme të kuadrove të përgatitur dhe të specializuar.

Buletini Ekonomik: Shtëpitë individuale të kosovarëve, që kanë, apo synojnë të kenë stabilimente të energjisë solare, sipas jush, çka përfitojnë konkretisht? Cilat janë favoret që do t’iu shpaguhej edhe investimi i tyre? Në këtë kontekst, a ka vështirësi dhe si është procedura për ndërlidhjen e këtyre stabilimenteve me rrjetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, për të plasuar shembull tepricat eventuale në këtë rrjet? Dhe, a ka shtëpi kosovare tani për tani, që mund të plasojë këto teprica në rrjetin elektroenergjetik të Kosovës?

Pëllumb Gjinolli: Shtëpitë individuale në aspektin financiar nuk do të përfitonin në mënyrë direkte, por në mënyrë indirekte. Instalimi i energjisë solare në shtëpi individuale mundëson që nevojat e energjisë së secilës shtëpi, të paktën një sasi e madhe e saj, të mbulohen nga energjia solare, falë radiacionit të mirë diellor. Sipas rregulloreve aktuale të zyrës së rregullatorit, secila shtëpi mund të instalojë energji solare fotovoltaike dhe të njëjtën ta lidhë në rrjet përmes matësit dy-kahor, ku energjia e tepërt e prodhuar futet në rrjet (p.sh. gjatë ditës kur askush nuk është në shtëpi) dhe ajo të kompensohet me energjinë pranuar nga rrjeti (p.sh. gjatë natës kur nuk ka prodhim solar dhe konsumi është më i lartë) pra me një fjalë, rrjeti do të përdoret si “bateri”, kjo pastaj në fund të muajit llogaritet, ku përmes njehësorit kalkulohet energjia e futur në rrjet dhe energjia e pranuar nga rrjeti, dhe konsumatori paguan për diferencën.

Buletini Ekonomik: Në bazë të hulumtimeve rreth konsumit të energjisë elektrike në shtëpitë kosovare, rezulton që 35-50% e konsumit është rrjedhojë e ngrohjes së ujit sanitar. Në këtë kontekst, çfarë kapaciteti duhet të kenë panelet solare për ta siguruar ujin e ngrohur sanitar dhe për të përmbushur edhe ndonjë nevojë të konsumit të energjisë elektrike në familje?

Pëllumb Gjinolli: Në raste të tilla kur duhet të adresohet çështja e ujit sanitar, është më mirë të shkohet me panele solare termale, që nuk prodhojnë energji elektrike, por vetëm termale, pra ngrohin ujin me anë të paneleve solare dhe zakonisht, gjatë dimensionimit të instalimeve të tilla, kalkulohet që 50 litra është nevoja për anëtar të familjes për një ditë (p.sh. një familje me 4 anëtarë ka nevojë për një sistem 200L).

Buletini Ekonomik: Sipas verifikimeve, në cilat rajone të Kosovës janë kushtet më optimale për të pasur më shumë parqe në bazë të erës dhe në cilat do të duhej të kenë përparësi panelet solare? Gjithashtu, pos kulmeve të shtëpive, në çfarë hapësire tjetër mund të instalohen panelet solare? Më konkretisht, a janë tashmë të identifikuara saktësisht, se në cilat vende të Kosovës mund të ndërtohet ndonjë park i ri i energjisë në bazë të erës dhe cilat rajone janë më të favorshme për energjinë solare?

Pëllumb Gjinolli: Kosova është një shtet me shtrirje të vogël gjeografike, që do të thotë që dallimet nga rajoni në rajon janë të vogla sa i përket radiacionit solar, mirëpo nga të dhënat historike, zona që ka radiacion më të mirë është zona e Dukagjinit, por kjo nuk duhet t’i dekurajojë zonat tjera.

Buletini Ekonomik: Sipas vlerësimeve të juaja, a do të ketë mundësi reale Kosova të përmbushë premtimet zyrtare që deri më 2025-tën të ketë 500 megavatë-orë të energjisë së rinovueshme?

Pëllumb Gjinolli: (Vetëm një përmirësim, në vend të 500 megavatë-orë, duhet të thuhet 500 megavatë kapacitet instalues). Sipas trendeve aktuale, gjithashtu sipas disa iniciativave që janë në përgatitje e sipër, është shumë e mundur që një kapacitet i tillë të jetë i realizueshëm.

Buletini Ekonomik: Si e mendoni ju personalisht, kalimin, qoftë edhe suksesivisht dhe pa u ngutur, nga qymyri si burim i deritashëm thuaja i vetëm, në burime të energjisë së rinovueshme? Sa kohë do të duhej që në Kosovë të jenë dominuese impiantet prodhuese të energjisë së rinovueshme?

Pëllumb Gjinolli: Eshtë vështirë të thuhet në këtë fazë, por duke pasur parasysh parashikimet dhe planifikimet sipas strategjisë së re të energjisë, në një periudhë 10-vjeçare parashihet që të kalohet nga thëngjilli si burim kryesor i energjisë në energjinë e rinovueshme, që do të shërbej si burim bazë. /Buletini Ekonomik/