Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), e cila funksionion në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, gjatë vitit 2018 janë realizuar punësime, pa u përfillur asnjë procedurë ligjore, thuhet në raportin e Auditorit për këtë institucion.
Sipas Ligjit për Shërbimin Civil, emërimet me afat të caktuar për një periudhë me të shkurtër se gjashtë (6) muaj bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për detyrime, dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.
Por Auditori, nga pesë mostra të vlerësuara, ka vërejtur se në tri raste nuk janë aplikuar procedurat e rekrutimit për marrëveshje për shërbime veçanta.
“Angazhimi i nëpunësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa procedurë dhe në mungesë të transparencës, rritë rrezikun për plotësimin e pozitave me staf jo kompetent që nuk kanë arsimin dhe eksperiencën e duhur për të kryer punët e tyre”, thuhet në raportin e Auditorit.
Tutje, Auditori, vlerëson se Sekretari i Përgjithshëm dhe Kryeshefi ekzekutiv i AUV duhet ndërmarrë veprime për t’u siguruar se angazhimi i zyrtarëve me marrëveshje për shërbime të veçanta /Kontrata pune për detyra specifike, bëhet vetëm në rastet specifike kur ndonjë projekt apo punë e caktuar nuk mund të kryhet me stafin aktual brenda institucionit, dhe angazhimi i tyre të bëhet përmes një procesi transparent dhe në pajtueshmëri me kërkesat ligjore. /Buletini Ekonomik/