Subvencionet e dhëna nga Qeveria u përdoren për blerjen e roletave

Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2018 ka subvencionuar 51 persona fizik, për raste të ndryshme, pa formuar fare komision për vlerësimin e kërkesave, siç e kërkon Vendimi qeveritar me nr.10/33 për miratimin e programeve për komunitete.

Në total shuma për këto subvencione arrin në 318 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

“Për 51 raste të personave fizik me pagesë totale prej 318,500 euro, nuk është formuar komision për vlerësimin e këtyre kërkesave, edhe pse vendimet janë të nënshkruara nga Kryeministri. Procedimi i shpejtë pa procedura i këtyre pagesave, është bërë për shkak të ndjeshmërisë së kërkesave të tyre”, thuhet në raportin e Auditorit për Zyrën e Kryeministrit, për vitin 2018.

Sipas Auditorit, kjo ka bërë që shumë prej subvencioneve të dhëna për raste të ndjeshme, edhe të keqpërdoren.  Madje, në disa raste, Auditori ka gjetur se subvencionet e Qeverisë, përfituesit i kanë përdorur për meremetime luksi, shkruan Buletini Ekonomik.

“Sa i përket mbështetjes financiare ku është aplikuar vlerësimi nga komisioni, vlen të ceket se duke mos përfshirë rastet e domosdoshme për ndihmesë, tek subvencionet për persona fizik kemi hasur në dhënien e ndihmave që janë përdorë për meremetime luksi, siç janë: blerja e roletave dhe zbukurimi me fasadë”, ka vlerësuar Auditori.

Sipas tij, konkluzioni është se jo të gjitha kërkesat janë vlerësuar me objektivizëm.

“Mangësitë e paraqitura në procesin e dhënies dhe monitorimit të subvencioneve, rrisin rrezikun për shpenzime jo racionale të parasë publike si dhe mos arritjen e objektivave me subvencione”. /Buletini Ekonomik/