Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj pesë zyrtarëve komunalë për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare” dhe “Mashtrimi”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Pejës, Departamenti për Krime të Rënda i kësaj prokurorie ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve D.Sh., G.L., R.Zh., dhe G.Sh., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe kundër të pandehurit I.K., për veprën penale “Mashtrimi”.
Në njoftim thuhet se i pandehuri, D.Sh., akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar në Komunë të Pejës, me dashje ka tejkaluar kompetencat e veta, pa qenë i autorizuar, duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit, me çka i ka shkaktuar dëm buxhetit komunal të Pejës në vlerë prej 9 mijë e 929 eurosh. Të pandehurit G.L., R.Zh., dhe G.Sh., sipas prokurorisë, si persona zyrtarë në Komunë të Pejës, përkatësisht anëtarë të komisionit për pranimin e mallit, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit komunal në vlerën e shumës së lartcekur.