Një betejë për miliona euro të Korporatës Energjetike të Kosovës po zhvillohet mes dy konsorciumeve- njërit që brenda vetës ka kompani nga Shqipëria, e tjetrit që ka kompani nga Serbia.
Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, që ndryshe njihet edhe si ”Gjykata e tenderëve”, i mbetet të vendos se cilave palë do t’u jap të drejtë, kompanive nga Shqipëria të cilat janë shpallur fitues nga KEK-u, me ofertën më të lirë për mbi 300 mijë euro, apo konsorciumit me kompani nga Beogradi që ka parashtruar ankesë për ta eliminuar konsorciumin fitues.
Nëse OSHP i jep të drejtë këtij të fundit, atëherë ky organ rrezikon të bie në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksën 100% ndaj Serbisë.
Edhe vetë KEK-u kishte kërkuar që kompanitë ofertuese të kenë parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 21 nëntor 2018, për vendosjen e kësaj takse, shkruan AktivPress.
Pavarësisht vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe njoftimit paraprak të KEK-ut, konsorciumi që kryesohet nga kompania “Rudarski Insititut” nga Beogradi kishte hyrë në garën për tenderin “Programi i shpimeve hulumtuese gjeologo-gjeomekanike dhe hidrogjeologjike” në fushën e jugut.
Në këtë tender, kjo kompani kishte ofertuar në vlerë për 2.829.820 euro dhe nuk ishte shpallur fituese.
Në bazë të vlerësimit të komisionit tenderues, kompani fituese ishte përzgjedhur konsorciumi “Bindi sh.p.k- A.L.T.E.A dhe Geostudio2000, PPC ALBANIA Sh.A”, me një çmim prej 2.498.981.
Pavarësisht se është për 330.839 euro më i lirë se sa konsorciumi i kompanive nga Beogradi, këta të fundit nuk po heqin dorë nga përpjekjet për ta fituar këtë tender.
Për rrjedhojë, ky konsorcium ka parashtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, nën pretendimin se konsorciumi i përzgjedhur nuk i plotëson kriteret për ta kryer punën që kërkohet me tender.
AktivPress ka siguruar gjithë dosjen e këtij tenderi, listën e kompanive ofertuese, e po ashtu edhe raportin e ekspertit vlerësues të OSHP-së.
Nëse OSHP e merr për bazë vlerësimin e ekspertit, atëherë konsorciumi fitues, me ofertë më të lirë, rrezikon ta humb këtë tender, me këtë rast do të përmbushej ankesa e konsorciumit të kompanive nga Beogradi.
Në një situatë të tillë, kur mund të ketë zvarritje të implementimit të tenderit, sipas zyrtarëve të KEK-ut, do të rrezikohet procesi i hapjes së minierës së re që është edhe obligim kontraktual me kompaninë amerikane “Contour Global”, dhe poashtu do t’u hapet rruga kompanive nga Beogradi që sërish të aplikojnë për ta fituar këtë tender.