Bordi i ndërmarrjes publike “Hortikultura” ka ndarë bonuse për anëtarët në emër të ‘punëve shtesë’, por kjo është bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Asnjë ndërmarrje publike sipas nenit 20.2 të Ligjit për Ndërmarrje Publike 03/L-087, nuk guxon të jap honorare për anëtarët e bordeve, pa miratimin paraprak të aksionarit, Qeverisë së Kosovës.
Përkundër kësaj, “Hortikultura” ndau gjatë vitit 2018-t honorare në vlerë prej 1 mijë e 700 euro për katër anëtarët e bordit.
“Mirëpo, gjatë rishikimit të pagesave për Bordin e Drejtorëve të Hortikultura, kemi vërejtur se janë bërë pagesa në kundërshtim me nenin në fjalë, për kompensim të honorarëve nga 50 euro për çdo mbledhje të mbajtur shtesë, përveç asaj që është caktuar nga aksionari. Pagesat e tilla për mbledhjet e mbajtura për muajt nëntor/dhjetor 2018 arrijnë totalin 1,700 euro (për katër anëtarët e bordit)”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë ndërmarrje.
Auditori thotë se pagesa të tilla në kundërshtim me ligjin si dhe ekzekutimi i vendimeve për pagesa shtesë pa aprovimin e aksionarit rrit rrezikun e menaxhimit jo të duhur të mjeteve financiare të Ndërmarrjes. /Buletini Ekonomik/