Në fund të vitit 2017-t, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, kishte marrë vendim për ndalimin e bonuseve për anëtarët e bordeve nëpër ndërmarrjet publike. Vendimi nr. 01/2599, pika 1, ka paraparë, “Pezullimin e vendimeve për kompensimin për stimulimin e efektshmërisë së anëtarëve të Bordeve të Drejtoreve të Ndërmarrjeve Publike Qendrore”.
Këtë vendim të aksionarit nuk e ka respektuar Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës. Sipas Auditorit të Përgjithshëm, bordi i kësaj ndërmarrje i ka ndarë vetes bonuse për vitin 2018-t, duke shkelur kështu vendimin e aksionarit, përkatësisht Qeverisë së Kosovës.
Ndarja e bonuseve për 7 anëtarët e bordit kap vlerën e 12 mijë e 300 eurove dhe thuhet se është bërë në emër të “stimulimit të performancës”, përcjell Buletini Ekonomik.
“Me datën 11.06.2018, Bordi i Drejtorëve të kompanisë ka marrë vendim që tu paguaj kompensimin për stimulimin e performancës vjetore Drejtorëve të Bordit të KMDK-se në lartësi prej 50% të shumës së përgjithshme vjetore të honorarit themelor të përcaktuar me vendimin e Aksionarit. Shuma e paguar për këtë qëllim ishte gjithsej 12,300 euroKMDK këtë vendim e kishte bazuar në performancën vjetore të kompanisë me fitimin neto të vitit 2017 prej 187,348 euro”, thuhet në raportin e Auditorit, për këtë ndërmarrje.
Por Auditori ka përgënjështruar këtë supozim të kompanisë, duke thënë se ky fitim nuk është vetëm rezultat i të hyrave nga shërbimet e kompanisë por një pjesë të tij e kanë ndikuar edhe të hyrat nga grantet dhe subvencionet në shumë prej 648,961 euro.
“Kjo ka ndodhur sipas zyrtarëve të Kompanisë për shkak se menaxhmenti i KMDK-së ka keqinterpretuar vendimin e aksionarit për pezullimin e vendimeve për kompensime dhe stimulime të efektshmerisë së anëtarëve të Bordeve të Drejtoreve të Ndërmarrjeve Publike Qendrore”, vlerëson Auditori.
Sipas Auditorit, mospërfillja e vendimit të MZHE–së (në cilësi të Aksionarit) për pezullim të vendimeve për kompensim për stimulime ka rezultuar me pagesë jo të rregullt dhe në kundërshtim me vendimin e aksionarit.
“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj se nuk do të merren vendime të cilat nuk janë të ligjshme dhe në pajtim me vendimet e aksionarit. Vendimet e aksionarit duhet të merren parasysh, të vlerësohen dhe të kuptohen si të zbatueshme, ndërsa në rast të paqartësive të kërkohet sqarimi nga Aksionari”, rekomandon Auditori.
Sipas ueb faqes se kësaj ndërmarrje, bordi aktual përbëhet prej 7 anëtarëve. Kryesues i Bordit Mentor Hoxhaj, anëtarët Gazmend Bytyqi, Havë Qarri, Bashkim Krasniqi, Burim Gashi, Selatin Retkoceri dhe Abdullah Haxhiu. /Buletini Ekonomik/