Bordi i Telekomit po i kërkon 30 milionë euro për ta shpëtuar këtë ndërmarrje nga kolapsi financiar. Kështu thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Telekomin e Kosovës, i pari i këtij lloji për këtë ndërmarrje, përcjell Buletini Ekonomik.
“Adresimi i kësaj çështje është synuar të arrihet përmes sigurimit të një financimi në shumën 30,0000,000 euro për implementimin e investimeve kapitale emergjente që do të shpëtojnë TK nga një kolaps teknik dhe operativ siç thuhet në këtë dokument”, thuhet në raportin e Auditorit për Telekomin.
Aktualisht ekziston vetëm një shkresë drejtuar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) (aksionarit) në të cilën kërkohet nga MZHE të jetë garantues i një kredie në vlerë 11,217,230 euro që Telekomi synon ta marrë në bankat komerciale për të realizuar disa nga investimet emergjente.
“Kjo shkresë është drejtuar me datë 07.02.2019, mirëpo ende nuk kanë marrë përgjigje. Autorizimi i një garancie të tillë (nëse miratohet nga MZHE) sipas Ligjit për Borxhin Publik Nr. 03/L–175, neni 19.2 do t’i nënshtrohet miratimit me dy të tretat (2/3) e votave të gjithë deputetëve të Kuvendit”.
Por Auditorit pas analizave të rrjedhjes së parasë për vitin 2019, ka vërejtur se nuk ekzistojnë mbështetje adekuate të parashikimeve në këtë plan.
“Ky plan parasheh investime kapitale në vlerë prej 25,000,000 euro megjithatë ne vlerësojmë se aktualisht menaxhmenti nuk ka alternativa realiste për sigurimin e financimit shtesë të planifikuar po ashtu në vlerë 25,000,000€. Kjo situatë gjithashtu hedhë dyshime të konsiderueshme në aftësinë e kompanisë për të vazhduar sipas hipotezës së vijimësisë”, vlerëson Auditori. /Buletini Ekonomik/