Ka shumë qytetarë të Kosovës të cilët për vite të tëra presin zgjidhjen e kontesteve të ndryshme gjyqësore, pasi që gjykatat vonojnë në shqyrtimin e lëndëve.
Bazuar në raportet e organizatave që monitorojnë punën e gjyqësorit, del se ka shumë vite që gjykatat ballafaqohen me numër të madh të lëndëve dhe me mungesë të numrit të mjaftueshëm të gjyqtarëve.
Hamit Izeti banor nga fshati Greme, komuna e Ferizajit, thotë se për më shumë se dhjetë vjet ka një kontest pronësor në gjykatë, por që ende nuk ka arritur të marrë një përgjigje finale për kontestin.
“E kam një lëndë në gjykatë prej vitit 2005, do të thotë qe 14 apo 15 vjet. Për lëndën që kam janë mbajtur 40 seanca dhe nuk më kanë bërë zgjidhje. Unë mendoj se po të funksiononte drejtësia dhe ligji, nuk ishte dashur më shumë se një apo dy herë të shkohet në gjykatë për çështjen time”, tha Izeti.
Se ka vonesë në zgjidhjen e lëndëve e thonë edhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që monitorojnë punën e gjykatave dhe prokurorive.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha për Radion Evropa e Lirë, se për zvogëlimin e lëndëve në gjykata, nuk ka një menaxhim të duhur.
Ai thotë se qytetarët ballafaqohen me vonesa të shumta në trajtimin e lëndëve të tyre dhe kjo sipas tij, më së shumti vërehet të çështjet civile dhe administrative.
“Pengesa e parë padyshim është që Këshilli Gjyqësor i Kosovës fatkeqësisht ende nuk është në gjendje të bëjë një vlerësim të gjendjes aktuale në të gjitha gjykatat për të kuptuar se cilat gjykata janë më të ngarkuar dhe në cilat fusha. Kryesisht qytetarët e Kosovës, ballafaqohen me vonesa në çështjet civile dhe administrative”.
“Sigurisht që gjykata me e ngarkuar është Gjykata Themelore e Prishtinës. Qytetarët që kërkojnë drejtësi në këtë gjykatë po thuajse nuk mund të marrin përgjigje para 5-6 vjetëve apo edhe 10 vjetëve, përjashtimisht nëse të njëjtit kanë lidhje me personat të cilët në një farë mënyrë e shkelin parimin e barazisë së qytetarëve në trajtimin e lëndëve”, tha Miftaraj.
Miftaraj konsideron se një faktor tjetër negativ në ketë drejtim është edhe mungesa e profesionalizmit të gjyqtarëve pasi që Gjykata e Apelit në shumë raste ka kthyer në rishqyrtim shumë lëndë.
“Në këto raste i kemi quajtur si lojë e pingpongut, ku një rast ka ndodhur në praktikë që të kthehet deri në pesë apo gjashtë herë nga Gjykata e Apelit në Gjykatën Themelore për rivendosje. E një faktor tjetër është se gjyqtarët, Këshilli Gjyqësor, kryetarët e gjykatave, duhet të kenë një administrim shumë më efikas në raport me gjykatësit, pasi që jo gjithherë i kushtojnë vëmendjen e kohën e duhur rasteve në gjykata si dhe jo rrallë herë shohim se gjyqtarët janë në seminare e punëtori e në punë. Pa dyshim kjo ndikon në efikasitetin e punës së tyre”, tha Miftaraj.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, tha se janë dy gjykata, ajo e Themelore dhe e Apelit, të cilat janë më të ngarkuara me punë.
“Vonesa ka në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shkak të volumit të madh të lëndeve. Vonesa në Gjykata të tjera nuk ka. Problemi i vetëm është në Gjykatën e Apelit në lëminë civile dhe në Gjykatën Themelore në departamentin e përgjithshëm në gjykata e tjera nuk ka. Edhe këtu jemi duke ndërmarr veprime. Për një vit veç në Prishtinë i kemi dërguar rreth 40 gjyqtar kështu që pritet që në të ardhmen këto vonesa të jenë më të vogla”, tha Çoçaj .
Në gjykatat e Kosovës vazhdon të ketë numër të madh të lëndëve të pazgjidhura. Aktualisht, janë mbi 245 mijë lëndë të vjetra apo të reja, që presin zgjidhjen nga gjykatat në mbarë Kosovën. Por, sipas drejtuesve të sistemit të drejtësisë, ky numër do të bie, pasi në gjykatat e Kosovës ka një angazhim të shtuar të zyrtarëve përgjegjës lidhur me këtë çështje. /rel/