FMN hap zyre të re rajonale për Ballkanin Perëndimor

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) njoftoi se do të hapë një zyrë të re rajonale të përfaqësuesit përhershëm për të forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me qendër në Vjenë, zyra e re do të ndihmojë në ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta me këto katër shtete, por gjithashtu edhe me donatorët, institucionet ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore dhe qeverinë austriake, si partnerë të rëndësishëm në zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Zyra e re do të kryesohet nga Stephanie Eble, aktualisht Shefe e Misionit të FMN-së për Kosovën. Znj. Elbe, shtetase gjermane, ka punuar më parë në Ukrainë, Greqi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ajo është e diplomuar nga Shkolla e Ekonomisë në Londër. Znj. Eble do të mbikëqyrë ekipet lokale në zyrat ekzistuese në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat do të vazhdojnë të jenë të hapura. Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat
kanë programe aktive me FMN, do të vazhdojnë të kenë përfaqësues të tyre në vend.

“Kjo zyrë e re në Vjenë do të jetë pjesë e rëndësishme e marrëdhënies sonë të vazhdueshme me këto katër shtete, në rrugëtimin e tyre drejt integrimit evropian”, tha Zëvendësdrejtori i FMN-së Tao Zhang pas takimit me Guvernatorin e Bankës Kombëtare Austriake Ewald Nowotny, dhe Harald Waiglein, Drejtor i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, në Vjenë.

Reklama e sponzorizuar

“Hapja e zyrës rajonale është kosto-efektive dhe gjithashtu ndihmon të jemi më afër anëtarëve tanë në rajon dhe partnerëve kryesorë të zhvillimit,” shtoi ai.

Zyra pritet të jetë funksionale në vjeshtë, ndërsa data e saktë do të publikohet më vonë. /monitor.al