‘Hortikultura’ u jep punëtorëve mijëra euro avance jashtëligjshëm

Ndërmarrja publike “Hortikultura” ka dhënë plot 15 mijë euro avance për punëtorët gjatë vitit 2018-t pa u mbështetur në asnjë dispozitë ligjore. Kështu ka konstatuar Auditori i Përgjithshëm, në raportin e auditimit të pasqyrave financiare për këtë ndërmarrje për vitin 2018, përcjell Buletini Ekonomik.

Kryeshefi Ekzekutiv kishte aprovuar kërkesat e punonjësve për tu dhënë avance në shumë prej 50 euro deri në 100 euro në para të gatshme. Sipas librit kryesor për vitin 2018 janë dhënë avance në vlerë 15,009 euro ku prej kësaj shume për punëtorët e ndërmarrjes janë dhënë 14,489 euro.

“Ndërmarrja nuk kishte një bazë ligjore apo politikë të shkruar për dhënien e avancave ndaj punëtoreve. Kjo ka ndodhur për shkak se ndërmarrja nuk kishte bord të drejtorëve nga viti 2013 deri në shtator 2018”, vlerëson Auditori.

Reklama e sponzorizuar

Dhënia e avanceve ndaj punëtorëve, sipas Auditorit, përveç së është e pa bazë ligjore, mund të ketë si rrezik mos kthimin e mjeteve në llogarinë e ndërmarrjes. “Kryesuesi i Bordit duhet të ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin e dhënies së avancave ndaj punëtoreve pa bazë ligjore”, thuhet në raport. /Buletini Ekonomik/