ATK-ja planifikon ligj për të mbyllur ‘bizneset problematike’

Edhe pse Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) është duke bërë një lloj presioni ndaj bizneseve për kryerjen e detyrimeve që kanë ndaj shtetit, prapë borxhet ndaj ATK-së janë mjaft të larta, rreth 330 milionë euro, për të cilën shumë ka pasur vërejtje edhe FMN-ja.

Sipas drejtorit të ri të ATK, Ilir Murtezaj, për vetëm dy muajt e parë të këtij viti janë shqiptuar 1 mijë e 691 gjoba në vlerë totale 1.1 milion euro ndaj bizneseve të cilat nuk kanë respektuar ligjet në fuqi.

Murtezaj nuk ka treguar se cilat kompani publike janë borxhlinjtë më të mëdhenj, por merret vesh se Telekomi i Kosovës është borxhliu më i madh në ATK.

Reklama e sponzorizuar

“Si mesazh duhet ta kuptojmë të gjithë komuniteti i biznesit se trajtimi ka me qenë i barabartë për të gjithë tatimpaguesit. Nuk është ky një lloj presioni, ky është një detyrim i zyrtarit tatimor që ta respektojnë ligjin… Aktualisht niveli i borxheve në Administratën Tatimore është rreth 330 milionë euro, që është një shumë e lartë, që do të thotë rreth 70 për qind e planit të të hyrave për këtë vit… Në kuadër të këtyre 300 milionë euro ka edhe shumë borxhe nga kompanitë publike, ndërmarrjet shoqërore”, thotë Murtezaj.

Si problematikë tjetër mbetet edhe shkalla e lartë e informalitetit rreth 31.7 për qind.

Murtezaj në një intervistë për KosovaPress thotë se aktualisht janë rreth 30 mijë tatimpagues që janë të pajisur me arka fiskale, ndërsa çështja e implementimit për lëshimin e kuponëve fiskal është një dukuri e cila përkundër shumë aktiviteteve që zhvillohen në terren nga zyrtarë të ATK-së, edhe veprimet që ndërmerren me gjobitje prapë vazhdon të jetë një dukuri shqetësuese dhe e pa papranueshme për ATK-në dhe për shoqërinë.

Ai thotë se ATK-ja dëshiron një ligj që ia mundëson mbylljen e bizneseve të pandërgjegjshme që nuk vetëdijesohen me gjoba.

“Ligji për ATK-në është në procedim e sipër, edhe ne si institucion kemi dhënë rekomandimet tona që të krijohet një bazë juridike që në rastet kur janë të njëpasnjëshme për të njëjtën shkelje për mos lëshim të kuponëve fiskal, të ketë mundësi ligjore në ATK që bëjë edhe mbylljen e atyre biznese. Jo me qëllim për të frikuar, pro me synimin që të krijohet mundësia për zbatim të ligjit… Ka rastisur tatim pagues që ndoshta edhe deri 20-30 gjoba t’i shqiptohen brenda vitit, përkundër këtyre gjobave që janë bukur të larta, prapë kanë vazhduar që mos të lëshojnë kuponë fiskal”, thekson ai.

Ndërsa, për ankesat e shumta të bizneseve, Murtezaj pranon se ATK nuk ka arritur t’i krijojë të gjitha mundësitë për to.

“Sot për sot ne kemi ankesa shumë, ka tatimpagues në numër të madh të cilat janë të interesuar që të punojnë dhe veprojnë 100 përqind në përputhje me ligjin, por nga një herë ne si zyrtarë duke mos ai krijuar atë mundësi detyrohen edhe ata të gjejnë rrugë alternative për veprimet e tyre. Kështu që ne bëhemi vetëkritik që nuk kemi arrit t’ia krijojmë të gjitha mundësitë…Për te çështjet e politikave ka(ankesa nga komuniteti i bizneseve), ka oda që për mes tyre i ngritin shqetësimet e tyre për ndonjë dispozitë ligjore dhe ka komunikim mes sponsorizuesve të ligjit dhe me komunitetin e biznesit për t’i harmonizuar kërkesat e tatimpaguesve në mënyrë që me lehtësuar punën edhe të tatimpaguesve”, thekson Murtezaj.

Murtezaj thotë se në Kosovë janë rreth 88 mijë tatimpagues, ndërsa reforma më e madhe fiskale , sipas tij, do të jetë mbledhja e TVSH-së nga kufiri në brendi të vendit, mirëpo kjo do të ndodhë vetëm pas miratimit të ligjit në lexim të dytë në Kuvend të Kosovës.

Por, sfiduese për ATK mbetet plani i të hyrave për vitin 2019, që është 516 milionë euro ose 16 për qind më shumë se plani i vitit të kaluar. Në dy muajt e parë të këtij viti, ATK ka inkasuar mbi 88 milionë euro.