Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) reagon kundër propozimit të kuvendit komunal në Ferizaj për miratimin e Rregullores Komunale për përcaktimin e orarit të punës së veprimtarive afariste dhe veprimtarive të tjera në Komunën e Ferizajt.
Ku me anë të kësaj rregullore përfshihen të gjitha llojet e veprimtarive dhe përcaktohet orari i punës së tyre, duke vendosur që dita e diele të jetë pushim.
“Propozimi për të miratuar një rregullore të tillë nuk është aspak i mirëpritur nga bizneset që operojnë edhe të dielave, pasi që ky vendim në radhë të parë është në kundërshtim me ligjin e punës që ushtrohet në Republikën e Kosovës, e po ashtu kjo rregullore shkakton humbje të mëdha për bizneset. Humbje këto që do të reflektohen në uljen e kapaciteteve të prodhimit, dhe rrjedhimisht ndikon në vetë vendet e punës për këta punëtorë. Kjo rregullore do të ketë vetëm efekte negative dhe vështirëson klimën e të bërit biznes në vendin tonë, ku së pari do të preken investimet kapitale dhe do të krijohet rreziku që investitorët të mos e shohin qytetin e Ferizajt si të favorshëm për investim, pasi që ulet niveli i qarkullimit buxhetor dhe vëmendja mund të shkojë tek shtetet fqinje”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Në fund, Klubi thotë se, “para marrjes së vendimeve të tilla, është mirë që paraprakisht të konsultohet edhe sektori privat, ku do të merren parasysh edhe kërkesat e tij. Ku dihet që rritja dhe zhvillimi i sektorit privat është një nga komponentët esencial për zhvillimin e gjithëmbarshëm socio-ekonomik të vendit tonë”.