Lekaj fajëson ligjin për monopolin në homologim

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka fajësuar Ligjin për Automjete për mundësinë që ia jep “EuroLabit” të posedojë licencën për homologim për periudhë të pacaktuar.

Në Komisionin Për Zhvillim Ekonomik, Lekaj ka thënë se tregu do të hapet e nuk do të ketë më monopol, por nuk ka dhënë afat se kur mund të ndodhë kjo.

Reklama e sponzorizuar

“Me ligj është përcaktuar që afati është i pacaktuar. Kryetar i komisionit ka qenë Muhamet Mustafa. Unë si ministër i Infrastrukturës jam i obliguar që me përpikëri të aprovoj Ligjin e nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës. Ligji është i sponsorizuar nga ish-ministri Zharku, ne s’kemi luajtur as në çmim në asnjë formë. Neve na duhet fizibiliteti dhe kemi kërkuar që të kemi ekspertë. Ne jemi munduar që të mos kemi monopol dhe në këtë komision në asnjë vend nuk përmendet monopoli. Nuk jam unë fajtor e as Ministria e Infrastrukturës, por është fajtor ligji. Çmimi është përcaktuar në kohën e ish-ministrit Fatmir Limaj dhe Ahmet Shala”, ka deklaruar Lekaj, raporton KP.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajramin kritikoi ministrin Lekaj për prezantim të ligjit gjatë raportimit të tij.

“Në letrat e Apostolovës flitej për udhëzimin administrativ dhe jo për ligjin. Ju keni thënë në udhëzimin administrativ se subjekti i cili e ka licencën duhet t’i shfrytëzojë minimum 85 për qind të kapaciteteve në mënyrë që MI të fillojë procedurat për operator të ri. Problemi i parë është, se si ka mundësi që veturat e prodhuara në BE, ta bëjnë homologimin në Kosovë. Ku është problemi që duhet të bëhet homologimi i një veture të prodhuar në Gjermani. Pse nuk e keni bërë fizibilitetin, çfarë ndodhë më 2 korrik? Pse e keni sjellë punën që të vazhdohet monopoli më 2 korrik”, është shprehur Bajrami.

E Lekaj është përgjigjur duke thënë se kanë kërkuar ekspertë të jashtë, por duke përsëritur se ligji ua ka mundësuar licencën në mënyrë të pakufizuar.

Siç raporton KP, drejtori Vehbi Shatri, u shpreh se shefja e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova ka bërë loje të dyfishtë. “Ky raport ka ardhur tek ne, por ky nuk është raport”, tha ai.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, pyeti se ku qëndron arsyeja që ministri Lekaj dëshiron të vazhdojë kontratën e “Eurolab-it” edhe për 10 vjet të tjera.

Edhe në këtë rast, ministri Lekaj tha se nuk ndjehet përgjegjës për këtë çështje.

“Ka qenë ministri Zharku që e ka sponzorizuar ligjin dhe deputetët të cilët e kanë miratuar ligjin. Po e lexoj paragrafin: ‘subjekti i cili i plotëson kushtet nga paragrafi 1, i lëshohet licenca me afat të pakufizuar nëse vazhdimisht i plotëson kushtet’. Sa i përket monopolit, ne kemi kërkuar ekspertë të fushës për kryerjen e fizibilitetit për të hapur tregun”, u shpreh ai.

Deputeti Memli Krasniqi, tha se ligji i automjeteve është i keq, pasi që ka 7 apo 8 muaj që nuk po mund të miratohen disa pika të tij.