Ministria e Inovacionit kryen jashtëligjshëm pagesa ndaj zyrtarëve të MPJ-së

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është përfshirë në një rast të paprecedent të shpenzimit të parasë publike. Kjo ministri kishte angazhuar në vitin 2017-të disa zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për të kryer shërbime të caktuara në këtë ministri, përcjell Buletini Ekonomik.

Të njëjtit për shërbimet e kryera u kompensuan nga ministria, por sipas Auditorit të Përgjithshëm, këto pagesa nuk mbështeten në asnjë dispozitë ligjore, përcjell Buletini Ekonomik.

“Bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit mes MIN dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), neni 2, personeli i MPJ-së sipas nevojës mbështet MIN në lëmin e financave dhe shërbimeve të përgjithshme dhe prokurimit. Në këtë marrëveshje nuk është përcaktuar ndonjë formë e kompensimit”, konstaton Auditori.

Reklama e sponzorizuar

UD Sekretari i Përgjithshëm në Ministrin e Inovacionit gjatë muajit dhjetor 2017, i cili njëkohësisht ishte Sekretar i Përgjithshëm i MPJ-së, kishte lidhur kontratë me zyrtarë të caktuar nga MPJ, për kompensimin e tyre lidhur me kryerjen e shërbimeve ndaj MIN, në shkallën prej 50% të pagës për çdo muaj bazuar në nenin 3 të marrëveshjes së mirëkuptimit, i cili nen nuk ekzistonte fare në marrëveshje.

Vlera e këtyre pagesave ishte 2,067 euro.

“Kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së personelit dhe kontrolleve të duhura në fillimet e funksionimit të ministrisë. Pagesat e realizuara ndaj zyrtarëve të MPJ-së, nuk janë të mbështetura me bazë ligjore dhe si të tilla, rrezikojnë dëmtimin e buxhetit të MIN për vlerën e shpenzuar”, vlerëson Auditori. /Buletini Ekonomik/