Çmimorja për stenda e “ProWein”, në të cilin KIESA e pagoi Mirt Interijerin 1 mijë e 800 euro për m2

Pjesëmarrësit në panaire ndërkombëtare i kanë dy mundësi të hapura për ndërtimin e stendës për ekspozim të produkteve. Ata mund t’i drejtohen panairit ku marrin pjesë për ta kryer këtë punë, ose mund të angazhojnë kompani të jashtme.

Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë– KIESA është përcaktuar për opsionin e dytë, kur e ka angazhuar kompaninë kroate Mirt Interijer për ndërtimin e stendave në shumicën e panaireve ku është prezantuar Kosova, gjatë viteve 2022-2023.

Në një rast, Mirt Interijer është paguar nga KIESA – 1 mijë e 843 euro për metër katrorë për ndërtim të stendës, apo 600% më shumë se çmimi standard në tregun e Evropës.

Reklama e sponzorizuar

Fjala është për panairin “ProWein 2023″, që ishte mbajtur vitin e kaluar në Gjermani.

Stenda e Kosovë në panairin ProWein 2023, e ndërtuar nga Mirt Interijer. Foto: KIESA

Për pjesëmarrjen e pesë bizneseve të Kosovës atje, në një hapësirë të kontraktuar prej 33m2, janë shpenzuar gjithsej 75 mijë euro. Prej tyre, për rezervim të hapësirës shkuan 15 mijë euro dhe rreth 61 mijë tjera për ndërtim të stendës.

Këto të dhëna, Buletini Ekonomik i ka siguruar nga KIESA përmes Kërkesës për Qasje në Dokumente Publike.

Por sa do t’i kushtonte shtetit të Kosovës metri katrorë, nëse KIESA do të përcaktohej për opsionin që stendën t’ia ndërtonte vetë panairi ProWein?

Buletini Ekonomik ka hulumtuar çmimoren e këtij panairi dhe dallimet mes çmimit që aplikoi Mirt Interijer dhe çmimeve që ofrohen nga ky panair, janë jashtëzakonisht të mëdha.

Në çmimoren e panairit ProWein, për të gjitha llojet e stendave, çmimi për metër katrorë varion nga 190 euro më e lira deri në 344 euro më e shtrenjta. Sipas kësaj, nëse KIESA do të përcaktohej për ProWein, stenda do t’i kushtonte 11 mijë e 352 euro.

Po ashtu, nëse analizohet me kujdes çmimorja e panairit ProWein, shihet se stenda e ndërtuar nga Mirt Interijer në disa raste është larg më e dobët për nga cilësia, krahasuar me stendat në dispozicion nga ky panair. /Buletini Ekonomik/

Lloje të stendave në panairin ProWein
Çmimorja zyrtare e panairit “ProWein”, lloje të stendave