Ministrja Hoxha ‘shpërblen’ jashtë procedurave dy OJQ me nga 10 mijë euro

Dy organizata jo-qeveritare kanë përfituar nga 10 mijë euro nga një  vendim i ministres Dhurata Hoxha, i marrë në vitin 2018 pa e përfillur asnjë kërkesë  ligjore, përcjell Buletini Ekonomik.

Ministria e Integrimit Evropian, të cilën e udhëheq Hoxha, kishte shpallur thirrje publike për mbështetje financiare publike, për projekte/programe të organizatave jo-qeveritare në fushën e integrimit evropian. Mirëpo, komisioni i vlerësimit, për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion dhe numrit të madh të aplikuesve, kishte kërkuar që të anulohet ky proces.

Reklama e sponzorizuar

“Pesë ditë më vonë, me vendim të Ministres dhe jashtë procedurave të kërkuara, ishin ndarë mjete për dy organizata jo qeveritare, veprimtaria e të cilave nuk ndërlidhet fare me Integrimin evropian në vlerë totale 20,000 euro (nga 10,000 euro për secilën)”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë  ministri.

Po ashtu, asnjëra prej organizatave përfituese nuk kishte të bëj më  aktivitete nga fusha e integrimit evropian. Rregullorja MF nr. 04/2017 Mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, neni 5.2, thekson se ofruesit e mbështetjes financiare mund të japin mbështetje financiare vetëm në fushën e veprimtarisë dhe përgjegjësive të tyre.

“Sipas zyrtarëve, kjo përkrahje ishte bërë për shkak të ndjeshmërisë së kategorisë shoqërore që mbulojnë këto dy OJQ (për fëmijët me sindromin DOË N dhe promovimin e të drejtave të grave), dhe nevojës së tyre për këto mjete”, thotë  Auditori.

Sipas tij, dhënia e subvencioneve jashtë fushëveprimtarisë, dhe pa zbatuar kriteret dhe procedurat e kërkuara, përkundër faktit që kanë për qëllim solidarizimin dhe përkrahjen e një kategorie të ndjeshme të shoqërisë, rritë rrezikun që fondet për subvencione të ndahen në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me objektivat fillestare. /Buletini Ekonomik/